The Guardian: Qeveria “divorcohet” nga kisha ortodokse në Greqi

Qeveria e Athinës ka ndërmarrë një hap radikal në transformimin e marrëdhënieve të shtetit me kishën ortodokse. Tashmë, klerikët nuk do të gëzojnë më statusin e nëpunësit publik. Kjo është lëvizja më e madhe e vendit fqinj drejt shndërrimit në një vend plotësisht laik. Zyrtarët grekë thonë se sektori publik nuk do të ketë më asnjë lidhje me rolet fetare.

“Me këtë marrëveshje do të do të lirohen 10 000 vende në shërbimin civil. Edhe pse klerikët nuk janë plotësisht nëpunës civilë, praktikisht ata llogariten sit ë tillë”, tha zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tzannakopoulos.

Kryeministri Cipras, i cili është vetë ateist, ka thënë më herët se do të rishikonte lidhjet komplekse të shtetit me kishën. Në Greqi, progresistët e kanë kërkuar prej kohësh ndarjen e shtetit nga kisha dhe e cilësojnë historike këtë lëvizje.

Sipas një marrëveshjeje mes qeverisë dhe kishës, priftërinjtë do të paguhen nga një fond i përbashkët, i cili gjithashtu menaxhon fitimet e marra nga pronat, për pronësinë e të cilave ka pasur mosmarrëveshje për shumë kohë mes të dyjave.

Kisha greke është prej kohësh institucioni më i rëndësishëm i vendit, me hotele, biznese dhe asete të tjera. Përmasat e kësaj pasurie shpesh janë bërë shkak për “fërkime” me qeverinë gjatë krizës financiare që Greqi përjetoi vitet e fundit. Sipas marrëveshjes, të ardhurat nga pronat për të cilat ka kontest që prej vitit 1950 do të ndahen përgjysmë.

Tzannakopulos thotë se falë kësaj marrëveshjeje do të garantohet edhe neutraliteti fetar i shtetit, i cili është akuzuar shpesh për paragjykimin e shtetasve joortodoksë grekë. Athina është përballur shpesh me kritika të ashpra për shkelje të të drejtave të minoriteteve fetare, qofshin këta myslimanë, dëshmitarë të Jehovait apo katolikë.

Në shoqërinë greke, roli i kishës është dominues, pasi ajo shihet si garante e fesë dhe gjuhës përgjatë 400 viteve të sundimit osman. Tradicionalisht pjesëtarët e kabinetit janë betuar para udhëheqjes kishtare, një ceremoni kjo që është konsideruar shpesh si anakronike.

Marrëveshja e arritur, e cila ende pritet të ratifikohet nga të dy palët: kabineti grek dhe Sinodi i Shenjtë (organi qeverisës i kishës), u zbulua pas bisedimeve që Tsipras pati mbrëmjen e së martës me liderin shpirtëror të Greqisë, kryepeshkopin Ieronymos.

Pak orë më pas, disa peshkopë reaguan ashpër duke e quajtur këtë marrëveshje një tradhti. Ieronymos, që njihet si figurë e moderuar, në përpjekje për të ulur tonet, këmbënguli të mërkurën se marrëveshja ishte larg përfundimit. “Marrëveshja është një gjë. Synimi për të rënë dakord është një tjetër”, tha ai.

“Është shpallur një marrëveshje që shpjegon qëllimin, vullnetin e mirë të kishës dhe të shtetit për të gjetur një zgjidhje për problemet që kanë zgjatur gati një shekull … ne kemi një luftë të madhe para nesh për t’u thënë priftërinjve tanë se çfarëdo që të ndodhë, do të bëjmë së bashku”, ka thënë ai. /TEMA/

SHKARKO APP