Vazhdojnë protestat në Serbi, Vuçiqi paralajmëron bisedime me përfaqësuesit e universiteteve

Pasi kaluan natën në çadra dhe thasë gjumi në mot të ftohtë, studentët serbë të dielën vazhduan bllokimin e urës së Danubit në qytetin verior të Novi Sadit, si pjesë e lëvizjes së tyre në rritje kundër korrupsionit.
Dhjetra fermerë parkuan traktorët e tyre pranë Urës së Lirisë, duke thënë se duan të ruajnë studentët nga incidentet dhe sulmet e mundshme nga simpatizantët e presidentit të fuqishëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Vuçiq postoi një video në faqen e tij në Instagram të dielën, në të cilën ai i ka quajtur protestat një “mësim shumë të rëndësishëm”.
Vuçiqi ka thënë që është e rëndësishme që bisedimet me profesorët dhe përfaqësuesit e universiteteve të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Studentët e universitetit në Serbi po udhëheqin një lëvizje masive kundër korrupsionit që u shkaktua nga shembja e një tende betoni më 1 nëntor në stacionin qendror të trenit në Novi Sad, duke vrarë 15 vetë.
Kritikët besojnë se ryshfeti çoi në një punë të ngadaltë gjatë rindërtimit të stacionit të trenit, mbikëqyrje të dobët dhe mosrespektim të rregullave të sigurisë.
Lëvizja e udhëhequr nga studentët detyroi tashmë dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç, aleat i Vuçiqit.
KOHA. net