Vuçiç tregon qëndrimin e SHBA për Kosovën, kongresmenia: Trump e do shumë Serbinë, do ta vizitojë së shpejti

”Donald Trump e dashuron Serbinë dhe së shpejti do ta vizitojë atë, sapo të emërohet ambasadori i ri Amerikan”. Ishte ky mesazhi që mbërriti në Beograd përmes kongresmenes republikane, Claudia Tenney, e cila njëkohësisht mban edhe rolin e bashkëkryetares së grupit parlamentar serb në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Aleksandër Vuçiç i dorëzoi asaj Urdhrin e Flamurit Serb, Klasi i Parë, siç thuhet në njohtim, “për merita të veçanta në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare midis Serbisë dhe SHBA-së”. Kosova nuk mbeti pa u përmendur, jo nga kongresmenja, por vetëm nga presidenti serb që u përpoq të vendoste fjalë në gojën e Tenney. Vuçiç pretendoi një mbështetje nga Amerika për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, duke nënkuptuar që brenda kufijve ka dhe Kosovën, pavarësisht se realiteti është që SHBA-të e kanë njohur pavarësinë.

”Është e rëndësishme mbështetja juaj e vazhdueshme në ruajtjen e stabilitetit, paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributi juaj në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtines përmes dialogut, pavarësisht të gjitha dallimeve tona mbi këtë çështje të rëndësishme për Serbinë. Për gati dy dekada, Republika e Serbisë ka luftuar me të gjitha mjetet diplomatike për të ruajtur sovranitetin e saj kombëtar dhe integritetin territorial dhe është plotësisht e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e Kosovës, me respekt të plotë për parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat ligjërisht të detyrueshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ju falënderojmë veçanërisht për mirëkuptimin e nevojës për të respektuar të drejtat e serbëve dhe popullsisë tjetër joshqiptare në Kosovë, si dhe për kritikën e guximshme të veprimeve të njëanshme të Prishtinës kur këto të drejta u shkelën në mënyrë të paligjshme”, tha President i Serbisë.

SHKARKO APP