Washington Post: SHBA të ngrenë zërin për dhumin e të drejtave të njeriut në Turqi
Washington Post: SHBA të ngrenë zërin për dhumin e të drejtave të njeriut në Turqi*
Nga Bordi i Editorialistëve
Në fjalimin e tij nacionalist në ceremoninë e inaugurimit të tij si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës “Amerika e para”, Donald Trump nënvizonte se: “Nuk kërkojmë t’i imponojmë askujt mënyrën tonë të të jetuarit, por thjesht duam që ajo të shërbejë si shembull dhe fanar për të gjithë ata që duan të ndjekin rrugën tonë”. Në fakt, për dekada me rradhë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë mbrojtës të demokracisë dhe kapitalizmit, duke u mbështetur pikërisht në shembullin e vlerave tona, por dhe duke i promovuar këto vlera si superiore ndaj vuajtjeve dhe mjerimit që shkaktojnë tiranitë. Pikërisht ky ka qenë dhe thelbi kryesor i përpjekjeve dhe luftës ndaj komunizmit gjatë dekadave të Luftës së Ftohtë, dhe sigurisht që kjo ishte një kauzë e denjë.
Por, pyetja është nëse vërtetë zoti Trump ka ndërmend të braktisë këtë zotim? Muajt e parë të tij në detyrë, sigurisht sugjerojnë se përgjigja është po. Deri më tani, ai pothuajse ka heshtur ndaj liderëve autoritarë për mizoritë dhe shtypjet që ata vazhdojnë t’i bëjnë popujve të tyre dhe nuk ka bërë thuajse asnjë përpjekje për të shprehur qëndrimin e tij ndaj liderëve të pushtetshëm të tillë si Presidenti i Kinës Xi Jinping, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte dhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan.
Admirimi i zotit Trump për autokratët vjen në një kohë kur kundërshtarët e lirberalizmit po fitojnë terren në mbarë botën. Pa dyshim, shumë prej lidërëve autoritarë mund të jenë gëzuar kur sekretari i ri i shtetit, Reks Tillerson, as nuk dënjoi të merrte pjesë në prezantimin e raportit vjetor për të drejtat e njeriut të publikuar nga Departamentit amerikan i Shtetit.
Megjithatë në javën që lamë pas, u vu re një fije shprese që sugjeronte se Departamenti i Shtetit, të paktën, nuk kishte ndërmend të pranonte humbjen dhe të dorëzohej për këtë çështje. Departamenti i Shtetit bëri një deklaratë në mbrojtje të kreut të Amnesty International për Turqinë, Taner Këllëç, i cili pak ditë më parë u arrestua nga autoritetet turke dhe akuzohet për lidhje me lëvizjen e Fet’hullah Gylenit, klerikut mysliman që jeton në Pensilvani. Z. Erdogan, President i Turqisë, i cili korrikun e vitit të kaluar ishte objektivi i grushtit të dështuar të shtetit, ka ndërmarrë një valë të gjerë spastrimesh dhe dënimesh arbitrare, duke urdhëruar arrestimin e mijëra gazetarëve, akademikëve, burokratëve, avokatëve dhe avokatëve të të drejtave të njeriut, të cilët akuzohen për lidhje me z. Gylen dhe lëvizjen e tij. Kjo furi mizore është thjesht hapi më i fundit i marshimit të z. Erdogan drejt autoritarizmit, ndaj një kombi që dikur përshëndetej dhe promovohej si model i demokracisë me shumicë myslimane.
Deklarata e Departamentit të Shtetit, nënvizon faktin se SHBA-të janë “thellësisht të shqetësuara” për burgosjet, por pa përmendur me emër z. Erdogan. Deklarata theksonte se arrestimet, “shpesh pa prova të mjaftueshme apo në mungesë të transparencës, janë një tendencë shqetësuese” dhe shtonte se këto veprime minojnë proceset demokratizuese në Turqi. Ndërkohë, duhen përmendur dhe disa qindra raste të tjera, në rastin e Turqisë, përfshirë dhe atë të fotoreporterit francez, Mathias Depardon, i cili u arrestua në muajin maj ndërsa po bënte punën e tij si gazetar për “National Geographic”.
Askush nuk duhet të ketë iluzione që z. Trump ka ndryshuar pikërpamjet e tij brenda një nate, por kjo premton se Departamenti i drejtuar nga z. Tillerson thjesht e ka parë të arsyeshme që të bëjë një deklaratë të tillë. Megjithatë deklarata të tilla duhet të jenë më të shpeshta. Shtetet e Bashkuara duhet jo vetëm që duhet të jenë një shembull, ashtu siç sugjeroi z. Trump në fjalimin e tij në ceremoninë e marrjes së detyrës si President i SHBA-ve. Ai gjithashtu duhet të udhëheqë duke ngritur zërin në emër të mijëra njerëzve, të drejtat e të cilëve nëpërkëmben në vendet më të errëta të globit.
*Titulli i Uashtington Post “Departamenti i Shtetit bën një kthesë të mirëpritur në mbrotjen e të drejtave të njeriut”.