Zgjedhja e kryetarëve të veriut, Petkoviç: Qeveria e Kosovës po provokon luftë
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç e ka quajtur “pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut Erden Atiç, duke thënë se me veprimet e tyre Kurti dhe Prishtina duan të dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë.
“Simboli i atij pushtimi dhe ajo leckë flamuri i Kosovës që e kanë ekspozuar në ndërtesën komunale të Mitrovicës…nuk do të jetë kurrë flamur për ne. Do të qëndrojë atje për aq kohë sa vetë pushtimi, dhe kjo do të thotë jo për shumë kohë”, tha Petkoviç në një konferencë për media pas betimit të Atiç si kryetar i komunës.
Ai në deklaratën e tij tha se është e papranueshme që dikush që ka fituar kaq vota të udhëheqë komunën e Mitrovicës së Veriut. Pak më herët Lista Serbe, që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri më 1 qershor për të ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve.