Zgjedhjet e parakohshme si strategji serbe

Nga Florian Biber –

Serbia ka mbajtur zgjedhje parlamentare në vitet 1990, 1992, 1993, 1997, 2000, 2003, 2007, 2008, 2012, 2014 dhe do të mbajë zgjedhje të parakohshme në 2016.

Pa përmendur zgjedhjet parlamentare të Republikës Federale të Jugosllavisë në 1992, 1992/3, 1996 dhe 2000.

Një shtetas që mbushi 18 vjeç në vitin 1990 kështu mundi të votojë 15 herë për parlamentin në dy dekada e gjysmë, pa përmendur dhjetë zgjedhjet presidenciale që nga 1990. Nëse frekuenca e zgjedhjeve do të ishte një standard i demokracisë cilësore, Serbia do të ishte një demokraci  e madhe – por nuk është.

Nga 11 zgjedhjet parlamentare serbe në 26 vitet që nga prezantimi i sistemit shumëpartiak, 7 ishin zgjedhje të parakohshme. Disa u mbajtën sepse koalicioni qeveritar u prish (viti 2008), por shumica ishin rezultat i partisë qeverisëse që përpiqej të siguronte një avantazh duke thirrur zgjedhje të parakohshme.

Asnjë prej këtyre zgjedhjeve nuk është aq i panevojshëm sa ai i thirrur tani nga kryeministri Vuçiç. Në zgjedhjet e vitit 2014, Partia Progresive Serbe siguroi një shumicë me 48.35%, më e madhe se çdo parti tjetër më parë, përfshirë Partinë Socialiste nën Millosheviçin në zgjedhjet më të suksesshme të 1990.

Mund të kishte qeverisur e vetme me një shumicë prej 158 vendesh nga 250, por vendosi të formojë një koalicion me socialistët. Kontrollin mbi pushtetin e ka të fortë dhe nuk ka arsye përse të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Thirrja e zgjedhjeve të hershme si një vegël e liderëve populist është një dell autoritar. Tudjman përdori një taktikë të ngjashme në 1995 pas fitores ushtarake mbi rebelët serbë dhe Gruevski ka kërkuar gjithashtu zgjedhje të parakohshme në Maqedoni në të shkuarën.

Por përse duhet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme kur ke shumicën në parlament? Një hap i tillë mund të duket me rrezik. Mund të rezultojë në humbje të pushtetit si Millosheviçi në 2000 dhe Tadiç në 2012.

Për Vuçiç, ka llogaritje strategjike në këtë mes. Duke përdorur nivelin e lartë të popullaritetit dhe një opozitë të dobët dhe të ndarë, kjo është një mundësi e mirë për të “depozituar” disa vite të tjera në pushtet – kush e di se çfarë do të ndodhë kur të mbahen zgjedhjet e ardhshme të rregullta? Për më tepër, fushatat e shpeshta zgjedhore parandalojnë opozitën që të mos rimarrë veten nga mundjet e mëparshme dhe e mbajnë atë të dobët.

Ka gjithashtu arsye më sistematike për zgjedhje të parakohshme: si një populist, Vuçiç mund të përdorë zgjedhjet për të mobilizuar votuesit dhe të qeverisë si një politikan në fushatë. Një populist në pushtet është gjithnjë duke folur në emër të popullit kundër elitës, ndërsa krijon në fakt një elitë të re.

Ky akt balancues lehtësohet më shumë nga zgjedhjet që na vënë përballë ne kundër tyre dhe shpërqendrojnë vëmendjen nga qeverisja. Së dyti, qeveria aktuale është e bazuar në one-man-shoë, Vuçiç. Dominimi i një personi në qeveri dhe në shtet funksionon në kontekstin e fushatës, por shfaq dobësi në qeverisje, teksa kuadrot në parti janë të dobëta dhe shpesh të paafta dhe i mungon popullariteti i liderit të partisë.

Është një vit zgjedhor në Ballkan, përveç Serbisë, edhe Mali i Zi dhe Maqedonia do të shkojnë në zgjedhje në muajt e ardhshëm. Megjithatë, deri më tani këto zgjedhje premtojnë pak progres në kuptimin e demokracisë apo reformave, por kërcënojnë të riafirmojnë sundimin gjysmë-autoritar në rajon.

BIRN

SHKARKO APP