1099 pacientë përfituan ndërhyrjen në sy dhe lentet falas
Falë shërbimit falas që i është shtuar listës së shërbimeve pa pagesë që garanton qeveria shqiptare në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, 1099 pacientë kanë përfituar vendosjen e lentes, ose të kataraktit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, solli sot shembullin e një të moshuare që ka përfituar nga ky shërbim. “Ku ka si drita e syve! Nënë Meribani ka kryer ndërhyrjen në sy dhe ka përfituar lentet falas në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë”, shprehet Manastirliu.
Ministrja thekson se “si 83-vjeçarja janë 1099 pacientë që e kanë përfituar paketën e plotë të kataraktit pa pagesë. Më parë, i kushtonte të moshuarve mesatarisht 35 mijë lekë të reja/lente sot ndërhyrja + lentet janë falas”. Manastirliu e cilëson këtë shërbim falas, edhe një hap përpara drejt mbulimit shëndetësor universal.
Më herët ministrja Manastriliu është shprehur se ndërhyrja e kataraktit, ose vendosja e lentes do të ofrohet për më shumë se 2000 pacientë në vit, gjithashtu dhe në spitalet rajonale.