200-230 raste në ditë tek infektivi, dyshohet nga uji

Rastet e shtuara në urgjencën e infektivit në QSUT, kanë vënë në lëvizje bluzat e bardha për të gjetur shkakun e virozës. Çdo ditë paraqiten rreth 200-230 pacientë në urgjencën e infektivit në QSUT, numër ky i pazakontë për një situatë normale. Për të qartësuar këtë situatë dhe për të gjetur shkakun, janë marrë mostra nga rastet që janë paraqitur në urgjencë, dhe po bëhet analizimi i tyre.

Pritet përgjigja e Institutit të Shëndetit Publik, për të përcaktuar se çfarë e shkakton këtë virozë dhe si po përhapet. Simptomat e rasteve të paraqitura në urgjencë, janë të njëjtat: temperaturë e lartë, të vjella, humbje ekuilibri dhe dhimbje koke.

Për sa i përket analizave të ujit, nga ku dyshohet se po përhapet viroza, të njëjtat burime nga Ministria e Shëndetësisë thonë se këto janë kontrolle periodike që bëhen vazhdimisht. Dhe pa dalë ende përgjigja nga Instituti i Shëndetit Publik, nuk mund të thuhet ende me siguri se çfarë e shkakton.

SHKARKO APP