28 Korrik, Dita Botërore e Hepatitit

Në Ditën Botërore të Hepatitit, Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, ka ndjekur nga afër testimin vullnetar të qytetarëve për këtë virus në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve nr. 3 të Tiranës. Çdo vit në 28 Korrik, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) organizon Ditën Botërore të Hepatitit për të rritur informimin dhe ndërgjegjësimin për hepatitin dhe pasojat që ai shkakton. Këtë vit, OBSH-ja dhe partnerët do të nxisin politikëbërësit, stafin shëndetësor dhe publikun që të veprojnë menjëherë për të parandaluar infeksionin dhe vdekjen nga hepatiti.

 

Në kuadër të aktiviteteve ndërgjegjësuese në këtë ditë dhe gjatë gjithë javës në vijim, Instituti i Shëndetit Publik, ndërmjet aktiviteteve të tjera ndërgjegjësuese për të parandaluar, diagnostikuar dhe trajtuar hepatitin viral, po kryen edhe promovimin e testimit vullnetar të virusit të hepatitit në tre qendra shëndetësore të Tiranës dhe në disa QSH në Korcë, Vlorë dhe Elbasan.

 

“Këto aktivitetete i bëjnë thirrje qytetarëve për ndërtimin e një komunikimi më aktiv me institucionet shëndetësore për të ndihmuar në parandalimin, apo diagnostikimin në stad sa më të hershëm të kësaj sëmundejeje”, – tha Ministri Beqaj. “Në vitet e fundit, Shqipëria ka bërë përparim shumë të ndjeshëm, praktikisht në moshat 0-18 vjeç, ne kemi prevalencë zero, ndërsa për grupet e riskut kemi një shkallë vaksinimi rreth 98%, por besojmë se është e domosdoshme që kjo të shtrihet në të gjithë popullatën,” – u shpreh më tej kreu i shëndetësisë. “Gjithashtu, vitet e fundit kemi përfshirë në skemat tona të mjekimit edhe në listën e rimbursimit, përfshirë edhe barnat e shtuara në 2015, barna të reja, të cilat janë në gjendje të mjekojnë me efektivitet ato raste kur sëmundjet kapen në stade të hershme”.

 

Ndërsa, Dr. Silva Bino, Drejtuese e Departamentit të Kontrollit të Sëmundejeve Infektive në ISHP, tha gjithashtu se “numri i rasteve me prevalencë të Hepatitit B ka pësuar një rënie, po të kemi parasysh që Shqipëria ka qenë një nga vendet me prevalencë më të larët ne Evropë, por vazhdojmë të kemi një lloj stabilizimi në lidhje me Hepatitin C”. Prandaj, tha më tej ajo, “i bëjmë thirrje të gjithë popullatës të testohet për Hepatitin B dhe C, për vetë faktin se për to duhet të ketë kujdes shëndetësor, dhe natyrisht ka një mjekim i cili mund ta frenojë sëmundjen”. 

 

Hepatiti viral (një grup i sëmundjeve infektive të mëlçisë të njohura si hepatiti A, B, C, D dhe E) prek qindra miliona njerëz në mbarë botën, duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë, si dhe vret rreth 1.5 milionë njerëz çdo vit (kryesisht hepatiti B dhe C). Këto infeksione mund të parandalohen, por shumica e njerëzve nuk e dinë sesi.

 

Mesazhet kryesore ndërgjegjësuese të Ditës Botërore të Hepatitit 2015 për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, bëjnë thirrje për njohjen e rreziqeve të gjakut të pasigurt, injeksioneve të pasigurta dhe shkëmbimit të pajisjeve të drogës me injeksion mund të çojnë në hepatitit. Vlerësohet se 2 milionë njerëz në vit marrin hepatit nga injeksionet e pasigurta. Përdorimi i shiringave sterile me një përdorim mund të parandalojë këto infeksione. Është e rëndësishme gjithashtu që të vaksinohen fëmijët, kur dihet se rreth 780 000 persona vdesin çdo vit nga hepatiti B. Një vaksinë e sigurt dhe efektive mund të mbrojë nga infeksioni i hepatitit B për gjithë jetën, ndërkohë që ekzistojnë medikamente efektive për trajtimin e hepatitit B dhe kurimin e hepatitit C.

SHKARKO APP