
829 raste të reja me kancer të gjirit janë regjistruar te gratë në Shqipëri gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik. Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, rritja e rasteve lidhet me disa faktorë, mes tyre plakja e popullsisë, ndryshimet në stilin e jetesës, si dhe rritja e ndërgjegjësimit dhe përmirësimi i programeve të diagnostikimit.
Ndërkohë, të dhënat tregojnë një prirje në rënie të vdekshmërisë nga kjo sëmundje. Nga 18 vdekje për 100 mijë banorë në vitin 2021, niveli ka zbritur në 16 vdekje për 100 mijë banorë. Për vitin 2025 janë regjistruar rreth 214 vdekje nga kanceri i gjirit. Gjatë të njëjtit vit, janë përllogaritur edhe 19 raste të kësaj sëmundjeje te burrat.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Durrësi, Vlora, Korça dhe Fieri rezultojnë me incidencën më të lartë, ndërsa Dibra me incidencën më të ulët. Mjekja senologe Dr. Edlira Rehovica, ishte e ftuar në emisionin e sotëm “Rudina”, në Tv Klan, nga ku foli për faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kancerit të gjirit, duke theksuar se gjenetika përbën një përqindje të vogël të rasteve. Sipas saj, fakti që një grua nuk ka familjarë të prekur nga kjo sëmundje nuk do të thotë se ajo nuk rrezikohet prej saj.
Mjekja nënvizoi rëndësinë e kontrolleve periodike, pavarësisht historisë familjare, pasi kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe te gratë që nuk kanë raste të njohura në familje. “Faktorët janë më të ndryshmit: stili i jetesës, faktorët e tjerë… Gjenetika ka një përqindje shumë të ulët. Vetëm 3 deri në 5% e kancerit të gjirit ka lidhje me gjenin. Pjesa tjetër është sporadike, që do të thotë ndodh te ajo grua dhe mbaron aty për faktorët e riskut të asaj gruaje. Dhe pse shumica e njerëzve mendojnë që unë nuk kam asnjë në familje dhe nuk mund të më prekë mua, është gabim ky mentalitet. Pavarësisht se nuk keni asnjë në familje, ju duhet të bëni kontrollet tuaja. Patjetër, pasja e një anëtari në familje predispozon dhe rrit riskun, por kjo nuk do të thotë që një njeri që nuk ka njeri në familje nuk do të preket asnjëherë nga kanceri i gjirit”, u shpreh doktoresha.
