AMC modernizon Qendrën Shëndetësore të Valbonës
Banorët e zonës së Valbonës, por edhe turistët që vizitojnë këto treva do të kenë mundësi të marrin një shërbim shëndetësor të standardeve të larta, falë projektit të AMC dhe GIZ për të modernizuar Ambulancat në Alpet e Shqipërisë. Ky investim pajisi me mjete moderne shëndetësore dhe komunikimi Ambulancën Shëndetësore të Valbonës. Seti i pajisjeve mjekësore që AMC dërgoi ishte ndër më modernët dhe përmban të gjitha mjetet që një Ambulancë e tillë duhet të ketë.
Ndër pajisjet kryesore që AMC mundësoi ishte vendosja e një kompjuteri, lidhja e qëndrueshme e internetit dhe kamera me të cilat infermieri i ambulancës mund të komunikojë me Spitalet Rajonale të Shkodrës dhe Tiranës. Tashmë, Ambulanca e Valbonës është në funksion të plotë për çdo emergjencë që mund të paraqitet në ditët e vështira të këtij dimri. Vetëm gjatë vitit 2014 Valbona u vizituar nga rreth 40 mijë turistë që kanë kaluan të paktën një natë aty, si dhe mijëra vizitorë ditorë. Ndërsa aktualisht në Valbonë jetojnë rreth 40 familje. Kështu AMC i vjen në ndihmë turizmit dhe banorëve të zonës.
“Duhet të theksoj që Valbona prej vitesh ka pasur nevojë për një Qendër Shëndetësore moderne dhe me pajisje të mira, pasi gjatë gjithë vitit këtu ka vizitorë. Fluksi i turistëve është gjithnjë e në rritje dhe është për t`u përgëzuar kjo ndihmë e çmuar që AMC bëri për Komunën Margegaj, pjesë e së cilës është edhe Valbona. Në emër të banorëve dhe bizneseve qe operojnë në turizëm falënderoj kompaninë AMC për pajisjet shëndetësore dhe ato të komunikimit”, – tha Rexh Biberaj, kryetari i komunës Margegaj.
“Kemi të sëmurë kronikë që vijnë rregullisht në Qendrën Shëndetësore, por thuajse çdo javë kemi emergjenca me turistët dhe për t`i trajtuar këto raste është e nevojshme të kemi mjetet e duhura. Pajisjet që ka sjellë AMC janë ndër më të mirat dhe shumë pacientë mund të trajtohen në Valbonë pa pasur nevojë të dërgohen në Spitalin e Bajram Currit apo Tiranës. Jemi të surprizuar me ndihmën e AMC. Stafi mjekësor i Komunës Margegaj i është mirënjohës kompanisë”, – tha Anibal Biberaj, mjek i Komunës.
Kjo ishte Ambulanca e parë në zonën e Alpeve që AMC ka modernizuar. Gjatë muajve të parë të vitit që vjen AMC do të modernizojë edhe Ambulancat e Razmës dhe Thethit, zona këto me mijëra turistë çdo vit. AMC do të investojë në mënyrë të vazhdueshme për institucionet publike dhe përmirësimin e shërbimit të tyre.