Anemia nuk korigjohet me ushqime

Dobësi, lodhje e përgjithshme, më e theksuar në sforcimet fizike (konsumohet më shumë oksigjen), vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke (në pjesën e pasme të saj), miza para syve dhe zhurmë në vesh, janë këto disa nga simptomat e anemisë të cilat nuk duhen neglizhuar në mënyrë kategorike. Mjeku Hematolog, Sotiraq Lako në një intervistë për tvklan.al ka shpjeguar hollësisht faktorët dhe simptomat që ndikojnë tek anemia. Sipas tij në praktikën mjekësore anemia keqvlerësohet, keqdiagnostikohet dhe keqmjekohet. Lidhur me këtë Dr.Lako ka shpjeguar edhe problemet më të shpeshta që hasen në vlerësimin dhe trajtimin e anemisë në vendin tonë.

Çfarë është Anemia?

Anemia është sëmundja më e shpeshtë hematologjike. Tradicionalisht vlera klinike e anemisë është nënvlerësuar (nuk ka dhimbje, por lodhjen si simptomin kryesor që nuk është shumë specifike dhe e mprehtë si dhimbja). Në praktikën tonë mjekësore anemia keqvlerësohet, keqdiagnostikohet dhe keqmjekohet. Zbulimi i shkakut të anemisë, është më i rëndësishëm se dhe vetë mjekimi i anemisë (shkaku i anemisë mund të jetë një sëmundje malinje). Po kështu mostrajtimi i anemisë ka pasoja në kostot e kujdesit shëndetësor dhe ulje të produktivitetit në punë. Pra, anemia duhet vlerësuar dhe trajtuar siç duhet nga mjekët, nëse nuk munden ta dërgojnë tek hematologu.

Si përkufizohet nga ana fispatologjike anemia?

Nga ana fispatologjike, anemia përkufizohet si pakësim i masës totale të eritrociteve në qarkullim, ndërsa nga ana funksionale përkufizohet si pakësim i kapacitetit transportues të gjakut për oksigjenin, me pasojë hipoksinë indore (pakësimin e oksigjenit tek qelizat). Funksioni i parë i gjakut, identifikimi i tij, është transporti i oksigjenit.  Të gjitha qelizat varen nga oksigjeni për të jetuar, shkallë të ndryshme të anemisë do të kenë shkallë të ndryshme pakësimi të oksigjenimit qelizor dhe pasojash klinike dhe kjo do të përcaktohet nga shpejtësia e instalimit të anemisë, grada e saj, mosha e pacientit dhe kurba e disocimit të hemoglobinës nga oksigjeni. Termi “anemi” i përdorur në mjekësinë klinike i referohet reduktimit poshtë vlerave normale të pranuara të hemoglobinës (sipas moshës dhe seksit të personit) me ose pa ulje të numrit absolut të eritrociteve. Pakësimi i hemoglobinës çon në shfaqjen e simptomave dhe shenjave të anemisë.

Si realizohet vlerësimi i anemisë?

Në praktikën e përditshme për vlerësimin e anemisë krahas përqëndrimit të hemoglobinës, përdoret dhe Numri i Eritrociteve (RBC) dhe Vlera e Hematokritit (Hct). Hematokriti vlerëson raportin e eritrociteve, në krahasim me plazmën (mjedisin e lëngshëm ku ato ndodhen). Kështu që kur vlerësojmë aneminë, duhet të vlerësohet dhe volumi plazmatik, nëse është i rritur me pasojë hollimin e elementeve të figuruar të gjakut apo është i pakësuar me pasojë një rritje jo reale e numrit të elementeve të figuruara të gjakut. Në këto raste vlerësimi duhet bërë pas korrigjimit të volumit plazmatik. Në vlerat normale të të tre parametrave ndikojnë një sërë faktorësh të rëndësishëm, si: seksi, mosha, raca, lartësia e vendit ku jetojnë. Për shkak të numrit të madh të eritrociteve që prodhohen çdo ditë nga PKK, kërkohen shumë pararendës  për prodhimin e qelizave të reja dhe të sasive të mëdha të hemoglobinës. Këto substanca janë:

  1. Metalet: hekur, manganez dhe kobalt.
  2. Vitamina: Vitamina B12, Acidi Folik, Vitamina B6, Vitamina C, Vitamina B1, Vitamina B2, Vitamina E.
  3. Aminoacidet
  4. Substanca rregullatore: Eritropoetina, faktorët e rritjes, androgjenët, glukokortikoidët, Tiroksina.

Disa të dhëna për serinë e kuqe tek adultët

  1. Hemoglobina (gr/dl): 13.0-17.5 (meshkuj) dhe 12-15.5 (femra)
  2. Numri i eritrociteve (RBC, në milion/mm3): 4.5-6.5 (meshkuj) dhe 4-5.6 (femra)
  3. Hematokriti (Hct ose PCV në %): 42-52 (meshkuj) dhe 35-45 (femra)
  4. Retikulocitet, vlera normale është 0-20 ‰ ose 0-2 %

Cilat janë kriteret e anemisë?

Nga ana sasiore, anemia është pakësimi me 20% i vlerave respektive të referimit për hemoglobinën. Vlerat e hemoglobinës (në nivelin e detit) sipas OBSH-së, për të përcaktuar aneminë dhe rëndësinë e saj kur është e pranishme, paraqiten si më poshtë*.

Cilat janë shenjat klinike të Sindromit Anemik, pra nga cilët faktorë përcaktohen?

Prania ose mungesa e shenjave klinike të anemisë përcaktohen nga 4 faktorë:

  1. Shpejtësia e instalimit të anemisë. Një anemi e instaluar shpejt (pas hemorragjie të rendësishme, hemolizë) ka klinikë më të shprehur se kur instalohet gradualisht (Sistemi Kardiovaskular ka më shumë kohë për t’u përshtatur).
  2. Shkalla e anemisë. Sa më e thellë të jetë anemia, aq më e theksuar është klinika. Klinika e anemisë shfaqet kur Hb është më pak se 9-10gr/dl. Por ka raste që pakësimi i Hb të jetë e theksuar dhe përsëri të mos ketë shenja ose të jenë shumë të pakta nëse ajo është instaluar gradualisht dhe personi ka qenë i shëndetshëm dhe në moshë të re (si tek anemia nga mungesa e hekurit).
  3. Mosha dhe gjendja e përgjithshme e pacientit. Moshat e vjetra e suportojnë aneminë më vështirë se sa mosha e re dhe kjo lidhet me sistemin kardiovaskular dhe sëmundjet shoqëruese kardiopulmonare.

Po simptomat që shfaqen ku konsistojnë, si mund të kuptohet?

Simptomat – Dobësi, lodhje e përgjithshme, më të theksuar në sforcimet fizike (konsumohet më shumë oksigjen), vështirësi në frymëmarrje, dhimbje koke (në pjesën e pasme të saj), miza para syve, zhurmë në vesh. Tek moshat e vjetra dhe kur instalohet shpejt mund të shfaqen dhe simptomat e angina pectoris (dhimbje gjoksi) etj.

Shenjat ndahen në të përgjithshme dhe specifike:

Shenjat e përgjithshme përfshijnë zbehjen e lekurës dhe të mukozave (të cilat shfaqen kur Hb është më pak se 9-10 gr/dl). Vlerësimi duhet bërë në dritë natyrale.  Anemia duket më mirë në membranat mukoze (buzët, goja, faringu, konjuktivat), llapa e veshit, shtrati i thonjve, shuplakat e duarve dhe në shputat e këmbëve (kur Hb < 7 gr/dl). Duhet të kemi parasysh se është pigmenti i hekurit (Fe) që siguron ngjyrën e kuqe të hemoglobinës, në këtë mënyrë të eritrociteve dhe për pasojë të vetë gjakut (pjesa e mbetur e gjakut pa eritrocite nuk ka ngjyrë të kuqe). Ngjyra e hemoglobinës (pra e hekurit) është dhe faktori kryesor i ngjyrës së lëkurës. Në rastet kur anemia instalohet shpejt dhe është e thellë mund të kemi takikardi, puls të shpejtë dhe goditës, tone të forta në zemër, zhurmë sistolike, kardiomegali. Shenjat specifike janë në vartësi të tipit të anemisë p.sh në rastin e anemisë hemolitike do të ketë ikter nga shtimi i bilirubinës indirekte. Në sëmundje të tjera anemia mund të shoqërohet me neutropeni, trombocitopeni etj.

Cilat janë problemet më të shpeshta që hasim në vlerësimin dhe trajtimin e anemisë në vëndin tonë ?

1)Ka gjithmonë konfuzion se kë do të quajmë anemi. Disa mjekë e vlerësojnë duke u nisur nga vlera e eritrociteve, disa nga hematokriti, shume pak nga vlera e hemoglobinës, që siç e shpjeguam më sipër është kriteri bazë i vlerësimit. Popullata të ndryshme kanë diapazon të ndryshmë të vlerave normale të serisë së kuqe dhe përderisa në vëndin tonë nuk i kemi këto vlera, të pranojmë vlerat e referuara nga OBSH, se të mbështetemi në kritere të ndryshme (sipas laboratoreve, aparateve, traktateve hematologjike).

2)Anemia më e shpeshtë në praktikë është “Anemia Defiçitare”. Këtu futen Anemia nga Defiçiti i Hekurit (Anemia Ferriprive), Anemia nga Defiçiti i Vitaminave (Vitamina B12 dhe Acidit Folik = Anemia Megaloblastike). Këto janë dhe anemitë më të keqvlerësuara dhe të keqtrajtuara. Anemitë defiçitare janë pasoja të defiçiteve përkatëse (në disa raste mund të jenë dhe të kombinuara). Defiçiti i hekurit (më i shpeshti në praktikë, sidomos për gjininë femërore) mund të vlerësohet me anë të Ferritinemisë dhe është më e përhapur (baza e ajsbergut) se anemia nga defiçiti i hekurit (maja e ajsbergut) që është pasoja e tij. Për anemitë nga defiçiti i vitaminave nuk kemi një markues si Ferritinemia, por parimi i tyre është i njëtë si për Aneminë Ferriprive. Zbrazen depot përkatëse (ose të kombinuara) dhe për pasojë shfaqet Anemia Megaloblastike. Mjeku nuk ka nevojë të gjejë shkakun e anemisë (është defiçiti), por të shkakut të defiçitit dhe këtu është gabimi më i madh praktik. Personeli mjekësor dhe vetë populli mendon se është kequshqyerja. Një organizëm i shëndoshë ka 8 vjet rezerva të hekurit, 2 – 4 vjet të vitaminës B12 dhe 2 muaj për Acidin Folik. Kjo do të thotë se nëse konsumohen normalisht për nevojat përkatëse, duhet të mos marrim për 8 vjet hekur, 2 – 4 vjet vitamin B12 dhe 2 muaj Acid Folik që të zbrazen depot dhe për pasojë të shfaqet dhe anemia përkatëse. Hekuri dhe acidi folik ndodhen në produktet bimore dhe shtazore, Vitamina B12 vetëm në ushqimet shtazore (dhe një sasi vetë sintetizohet nga organizmi). Pothuajse nuk ekziston në praktikë si faktor i zbrazjes së depove përkatëse mosmarrja në ushqime e hekurit dhe e vitaminave. Më tepër është një shkak ndihmës për shkaqet e tjera të zbrasjes së depove që janë këto sipas rëndësisë: humbja e hekurit (hemoragjia e vogël e përsëritur ku futet dhe dhurimi i përsëritur i gjakut), mbikonsumimi, mosthithja, mosmarrja në ushqime për Defiçitin e hekurit (hipoferritinemia) dhe mbikonsumi (proliferim malinj/beninj qelizor), mosthithje, mosmarrje e vitaminave për Defiçitin e Vitaminës/Vitaminave B12 dhe Acid Folik (B9). Dhe gabimi tjetër praktik “anemia mjekohet me ushqime”. NUK KA ASNJË ANEMI QË KORRIGJOHET ME USHQIME. Maksimumi i hekurit ditor që mund të arrijë njeriu të marri një njeri në maksimumin e ushqyerjes së tij është 10-14 mg. Doza ditore terapeutike e hekurit është 200 mg hekur elementar në ditë për adultët, sasi që gjendet në  4.5 kg mish të kuq dhe kjo për të paktën 3 muaj rresht (1-1.5 muaj për korrigjimin e anemisë dhe 1.5 muaj plus për korrigjimin e depove përkatëse). Përdorimi i shpretkës, verës së kuqe, spinaqit etj është një buadallallëk i vertet të cilin nuk po arrijmë ta heqim. Mjekët të mësohen të kërkojnë Ferritineminë, ideale ishte të kishim dhe një markues të tillë dhe për vitaminat.

3)Të luftohet për t’u gjetur dhe nëse është e mundur të eleminohet jo shkaku i anemisë (ai dihet që është defiçiti përkatës), por shkaku i defiçitit/defiçiteve (në rastin e kombinuar) kun ë bazë të tyre mund të jenë dhe sëmundje malinje. Pra mjekët të mos mjaftohen thjesht me faktin e mjekimit të anemisë, por të korrigjimit të saj të plotë, të korrigjimit të depove (në vendin tonë pasi korrigjohet anemia mjekët dhe vetë njerëzit e ndërpresin mjekimin) dhe të eleminimit ose të paktën të kompensimit të shkakut të deiçitit/defiçiteve. Në rast se këto realizohen patologjia hematologjike shërohet dhe nuk ka shumë sëmundje që shërohen. Pjesa më e madhe e tyre mjekohen. Me mënyrën si i vlerësojnë dhe i mjekojnë Anemitë Defiçitare në Shqipëri mjekët  tentojnë ta mjekojnë, por asnjëherë ta shërojnë. Në rast se shkaku/shkaqet e deiçitit/defiçiteve nuk eleminohen ose të paktën të kompensohen, Anemitë Defiçitare mund të korrigjohen plotësisht, por defiçiti me ose pa anemia do të përsëriten (në varësi të madhësisë së shkakut. Dhe për këtë nuk e ka më fajin hematologu, as preparati, por fakti që nuk është eleminuar ose korrigjuar shkaku/shkaqet dhe kjo kërkon bashkëpunimin me specialitete të tjera (gjinekologu, gastrologun, urologun).

4)Abuzohet me fjalën “mjekohem me hekur” dhe me përdorimin kot të Vitaminës B12 (“për të rritur fuqinë” 5-10 ditë Vitamina B12 I/M. Mjekimi duhet bërë me dozën optimale mjekuese ditore për kohën e caktuar deri në korrigjimin e plotë të anemisë (Hb≥ 12 gr/dl tek femrat dhe ≥13 gr/dl tek meshkujt (jo përmirësim i saj siç ndodh në praktikën tonë mjekësore) dhe pasi korrigjohet anemia do të vazhdohet mejkimi deri në korrigjimin e depove dhe vetëm atëherë detyra është bërë siç duhet.

5)Anemia e lehtë, e mesme, e thellë njësoj vlerësohen dhe mjekohen. Po ky vlerësim dhe mjekim ka vlerë dhe kur zbulojmë fazën e defiçitit, pa u instaluar akoma anemia. Anemitë e lehta dërgojini tek specialisti t’i vlerësojë dhe mjekojë. Një pjesë e rëndësishme e anemive të lehta në vendin tonë janë të lindura (Talasemia Minor) që sigurisht në shumcën e rastve nuk vlerësohet siç duhet.

6)Nëse doni të kontrolloheni për një patologji të gjakut duhet të fillohet me: gjak komplet + trombocit + retikulocit, ferritinemia, elektroforeza e hemoglobinës (bartësit e drepanocitozës nuk zbulohen me analizën e gjakut periferik).

Intervistoi: Vilma Kërçiku

 

SHKARKO APP