Beqaj: 50 milionë lekë vetëm për protezat këtë vit në Spitalin e Elbasanit
Spitali Rajon i Elbasanit është spitali tjetër i radhës, i cili ofron tashmë proteza ortopedike falas për të gjithë pacientët që kanë nevojë për këtë shërbim mjekësor. Banorët e Elbasanit dhe zonave përreth që kanë nevojë për një ndërhyrje të tillë do të mund ta marrin këtë shërbim pranë vendbanimit të tyre dhe me një cilësi tepër të lartë.
Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, i shoqëruar edhe nga deputeti i Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, si dhe përfaqësuesë të pushtetit vendor, ishin në spitalin Rajonal të Elbasanit ku takuan edhe një prej pacientëve të të parë që kanë përfituar nga ky shërbim i ri i cili ofrohet në këtë spital.
Ministri Beqaj u shpreh se, tashmë, pacientët mund ta marrin falas këtë shërbim duke kursyer në xhepat e tyre të paktën 3 milionë lekë, teksa shtoi se janë afro 1200 persona në të gjithë Shqipërinë që do të përfitojnë proteza falas gjatë këtij viti.
“Spitali i Elbasanit ka këtë vit 50 milionë lekë vetëm për protezat që janë, qoftë për raste traumash, qoftë edhe në raste si zonja. Është pjesë e një pakete 1.8 miliardë lekë që janë këtë vit, që ne besojmë se të paktën 1200 vetë do të mund të operohen në të gjithë Shqipërinë pa paguar asnjë gjë. Është ndihmë e madhe”, tha z.Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë theksoi, gjithashtu, se “po të nisemi me sa ka pas kushtuar kjo nga xhepat, kjo 1.8 ka qenë të paktën 4 miliardë lekë, dhe, mjekët mund ta konfirmojnë, cilësitë janë të mrekullueshme”.
Z. Beqaj u shpreh se ofrimi i protezave ortopedike falas është ndihmë jo vetëm për pacientët dhe për familjarët, por dhe për vetë mjekët. “Është për pacientët ndihmë, nuk diskutohet, për familjen, për vetë zonjën, po nesër mund të kërkoj edhe punë, mjekët ortopedët edhe në Elbasan janë si në Tiranë, pra mund ta ushtrojnë profesionin e tyre dhe, është shumë e rëndësishme, mendoj unë që përmirësohet shumë marrëdhënie njerëzore mjek-pacient”, u shpreh Ministri.
Ndërkohë, doktor Albert Grykëshi, shef i shërbimit të Ortopedisë në spitalin Rajonal të Elbasanit, tha se ofrimi i protezave ortopedike falas është një risi në këtë spital. “Këto proteza janë shumë cilësore, ‘Titanium’, ndryshe nga shumë proteza të tjera të serive të mëparshme edhe ndikojnë për rehabilitimin e të sëmurit më shpejtë, janë më jetëgjatësore për të sëmurin edhe aktiviteti rikthehet shumë herë më shpejt”, theksoi ortoped Grykëshi.
—###—
Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:
Këto kanë kushtuar të paktë 3 milionë lekë, vetëm protezën, asgjë tjetër, vetëm kostoja e protezës. Ne e filluam këtë histori vjet, dhe fillimisht, e filluam vetëm në Tiranë dhe në Durrës, mirëpo pamë që kërkesat ishin shumë më të mëdhaja nga çfarë e kishim menduar ne, se ndoshta ashtu si zonja, siç ishte dhe një zonjë në Fier para disa ditësh, ishin në shtëpi dhe nuk ishin as të regjistruar në listat tona të pritjes, dhe pastaj vendosëm që që në Dhjetor filluam dhe në shumë spitale të tjera të Shqipërisë.
Sot ne jemi në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, në Fier, në Shkodër, në Lezhë, në Gjirokastër, në Sarandë, dhe spitali i Elbasanit ka këtë vit 50 milionë lekë vetëm për protezat që janë, qoftë për raste traumash, qoftë edhe në raste si zonja. Është pjesë e një pakete 1.8 miliardë lekë që janë këtë vit që ne besojmë se të paktën 1200 vetë do të mund të operohen në të gjithë Shqipërinë pa paguar asnjë gjë. Është ndihmë e madhe.
Po të nisemi me sa ka pas kushtuar kjo nga xhepat, kjo 1.8 ka qenë të paktën 4 miliardë lekë, dhe, mjekët mund ta konfirmojnë, cilësitë janë të mrekullueshme. Kemi pas debate në Ministri, ka pas njerëz që kanë thënë që Ministë,r ne shëndetësi publike jemi, pse “Titanium”? Erdhi një moment, ngulëm këmbë sepse kishim frikën se mund të fillonte historia, ka kështu po ka dhe më mirë. Edhe ne mund të na ngelte stok në spital, njerëzit prapë mund të paguanin. Atëherë, vendosëm, aq sa kemi mundësi për momentin. Është për pacientët ndihmë nuk diskutohet, për familjen, për vetë zonjën, po nesër mund të kërkoj edhe punë, mjekët ortopedët edhe në Elbasan janë si në Tiranë, pra mund ta ushtrojnë profesionin e tyre dhe, është shumë e rëndësishme, mendoj unë, që përmirësohet shumë marrëdhënie njerëzore mjek-pacient, sepse shumë mund të thonin që këta mjekët janë të lidhur me një klinikë edhe prandaj na e sjellin neve vërdallë. Tani edhe që mjekët e dinë që kanë furnizim, me planifikim i bëjmë.
Sigurisht, që pas kësaj duhet, – ne besoj se këtë vit do duhet të fillojmë të investojmë shumë edhe në rehabilitim, sepse edhe aty, me thënë të drejtën, nuk është se kemi bërë shumë gjithë këto vite por ashtu si edhe ky rast. Dhe jo vetëm kaq unë besoj se edhe vetë imazhi i spitalit para qytetarëve të Elbasanit rritet.
Dr. Albert Grykëshi, Shef i shërbimit të Ortopedisë, spitali Rajonal Elbasan:
Për herë të parë, në spitalin Rajonal të Elbasanit u fut një risi e re, vendosja e protezës totale koksofemorale. Këto proteza për të gjithë të sëmurët e shtruar në institucionin tonë janë falas. Kjo në bazë të një marrëveshje me firmën që, që nga Dhjetori i vitit të kaluar dhe në vazhdim do të jetë në furnizim të rregullt nga ana jonë. Këto proteza janë shumë cilësore, ‘Titanium’, ndryshe nga shumë proteza të tjera të serive të mëparshme edhe ndikojnë për rehabilitimin e të sëmurit më shpejtë, janë më jetëgjatësore për të sëmurin edhe aktiviteti rikthehet shumë herë më shpejt.
I sëmuri është dita e katërt e operacionit dhe lëviz në pavion, ka filluar periudha e rehabilimit dhe e çuarjes në këmbë të të sëmurit. Shpresojmë sepse Elbasani është një zonë me shumë patologji koksofomorale që edhe në vazhdim këto operacione të jenë periodikisht.