Beqaj: e-Inspektimi një garanci më shumë për ofrimin e kujdesit shëndetësor te qytetarët tanë

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka nisur sot inspektimet online në të gjithë vendin

 Tiranë, 25/11/2016 – Të gjitha kontrollet që do të kryhen nga inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor do të raportohen në kohë reale përmes Portalit Online e-Inspektim. Duke filluar nga dita e sotme, të gjithë inspektorët e ISHSH-së janë të pajisur me aparaturat përkatëse, të cilat bëjnë të mundur verifikimin e vendndodhjes së inspektorit, por ajo që është më e rëndësishmja, është fakti se ato mund të raportojnë rreth situatës në të cilën ndodhet subjekti i kontrolluar, duke u bazuar në aktin e inspektimit që plotësohet pranë subjektit.

Në takimin e zhvilluar sot (25/11/2016) në Ministrinë e Shëndetësisë me pjesëmarrjen e z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë dhe z. Shkëlqim Hajdari, Kryeinspektor, Inspektorati Qendror, si dhe të z. Eltar Deda, Kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, u theksua rëndësia e e-Inspektimit, si një instrument i rëndësishëm për të përmirësuar transparencën dhe ulur korrupsionin gjatë procesit të inspektimit.

Të gjitha subjektet do të inspektohen në bëzë të një plani të miratuar më herët nga Inspektorati Qendror dhe Ministria e Shëndetësisë, në mënyrë që çdo proces i kryer të jetë transparent. Ministri Beqaj, gjatë fjalës së tij, ka nënvizuar se kjo është një risi në punën e inspektorëve, si dhe një përpjeke për të garantuar cilësi në ofrimin e kujdesit shëndetësor në të mirë të qytetarëve tanë, por edhe për të krijuar në mjedis shëndetësor, qofshin këto sistemin publik apo jopublik të funksionojnë në mënyrë transparente dhe me konkurrencë të ndershme.

“Sot, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, ne i shtojmë një element të ri që është përdorimi i teknologjisë dhe informacionit për më shumë cilësi dhe më shumë transparencë. Sepse kjo na krijon mundësi që të kemi më shumë monitorim në atë çka ndodh në realitetin e përditshëm sasior dhe cilësor të trupës sonë inspektuese. Por, besoj se përcjell edhe tek publiku që trupat inspektuese janë korrekte dhe nëpunësit e shtetit janë korrektë në zbatimin e ligjit dhe inspektimi nuk përdoret në mënyrë të diferencuar për qëllime korruptive apo politike”, ka nënvizuar z. Beqaj. Sipas tij, me anë të këtyre aparaturave do të dihet se ku është trupa inspektuese fizikisht dhe çfarë akti inspektimi po kryen në atë moment.

Instrumenti i e-Inspektimit rrit efektshmërinë e inspektimeve shtetërore të bizneseve dhe garanton konkurrencën e lirë. Në fjalën e tij, Dr. Eltar Deda, Kryeinspektor i ISHSH-së, tha se institucioni që ai drejton ka mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e shëndetit publik. “Procesi që po fillon sot do të rrisë edhe më shumë efektshmërinë dhe transparencën e ISHSH-së. Strukturat e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor në të 12 qarqet e vendit gjatë periudhës 1 janar – 31 tetor 2016 kanë kryer inspektime të vazhdueshme në zbatim të Programit të Inspektimit për vitin 2016. Objekt i inspektimeve kanë qenë të gjitha ato subjekte në të cilat ofrohen shërbime për popullatën (ushqimi, arsimi, shërbime të caktuara shëndetësore, ujësjellësit, subjekte të akomodimit, etj.,)” ka nënvizuar kryeinspektori i ISHSH-së Deda.

Nga ana tjetër, kryeinspektori Hajdari vuri theksin se të gjitha inspektimet që do të kryhen tashmë do të jenë transparente. “Ky lloj inspektimi është fillimi i një reforme që ne duam të bëjmë në inspektim, e cila është prioritet i Qeverisë Shqiptare në kuadrin e ndërtimit të sistemeve bashkëkohore në të gjithë administratën, ku inspektimi ashtu sikurse për ju edhe për inspektoratet e tjera, është një hap shumë i rëndësishëm në interes të enteve që kontrollohen, në interes të bizneseve që kontrollohen në mënyrë që perceptimi i publikut për trupat e inspektimit të jetë ndryshe. Tashmë, trupat e inspektimit do të jenë në bashkëpunim të hapur dhe transparent me ato që kontrollohen. Inspektimet do të kryhen mbi bazën e një metodologjie për të prodhuar një akt administrativ të pakontestueshëm në rrugë ligjore. E gjitha kjo do të sjellë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, informalitetit dhe bizneseve të pandershme, që për hir të së vërtetës, ne përplasemi çdo ditë”, ka pohuar z. Shkëlqim Hajdari, Kryeinspektor i Inspektoratit Qëndror.

Aktualisht, është kryer trajnimi i të gjithë inspektorëve si në terren ashtu dhe nga ana teknologjike dhe profesionale.

SHKARKO APP