Beqaj e pranon: Në Shqipëri ka raste të falsifikimit të ilaçeve
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka pranuar se në Shqipëri ka raste të falsifikimit të produkteve mjekësore. Gjatë raportimit në Komisionin e Jashtëm në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në konventën e Këshillit të Evropës për falsifikimin e produkteve mjekësore dhe krimeve të ngjashme që paraqesin kërcënim për shëndetin publik, kreu i Shëndetësisë deklaroi se problemet më të mëdha të konstatuara në vend, lidhen me falsifikimin e ambalazheve.
Ndërkohë që bëri me dije se po punohet me Ministrinë e Brendshme për të zbardhur të gjitha rastet.
“Kur përkufizojmë barin, ai lidhet dhe me ambalazhimin e tij. Nuk është e thënë që patjetër duhet të jetë lënda kimike e falsifikuar por kur përkufizohet i falsifikuar edhe ndryshimi që mund t’i bëhen për qëllime jo të rrezikshme për jetën por për arsye tregtimi edhe ndryshimi i ambalazhimit është pjesë e falsifikimit të barit. Kemi raste herë pas here të identifikuara në bashkëpunim me strukturat e krimit ekonomik. Në rastet kur është ndërruar kutia e ambalazhit janë bërë dhe një shtypshkronjë këtu”, tha ministri.