Beqaj: Kemi hapur kantierin e shëndetësisë
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj inspektoi sot (02/06/2015) punimet që po kryhen për rikonstruksionin e Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 1 në Tiranë, një investim i Qeverisë shqiptare me vlerë 630 mijë dollarë.
“Vetëm në javët e fundit, ne kemi vënë në punë me pajisje moderne dy Poliklinikat e tjera të Specialiteteve në Tiranë, dhe besoj se dhe ky investim, që është pjesë e kantierit të hapur të shëndetësisë, është demonstrim i faktit se ne jemi në drejtimin e duhur për të përmirësuar ndjeshëm edhe kujdesin shëndetësor Parësor edhe në qytetin e Tiranës”, u shpreh ministri Beqaj.
Z. Beqaj renditi një sërë nismash të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë, që shprehin –siç u shpreh ai- vullnetin e Qeverisë për të ofruar shërbim shëndetësor sa më cilësor dhe sa më pranë qytetareve”.
“Nismat tona në Shërbimin Parësor janë konkrete, duke filluar nga Programi i Kontrollit Shëndetësor Bazë pa Pagesë për popullatën 40-65 vjeç; ka një zgjerim të ndjeshëm të Listës së Barnave të Rimbursueshme; ka një qasje të re të shërbimit të mjekut të familjes me zëvendësimin e një kohe të madhe burokratike me elementë inovativë, që janë zëvendësimi i librezës me kartën e shëndetit, kalimi nga receta një-, në dy-mujore, për të sëmurët kronikë; një hap shumë të mirë, sikurse e demonstruam të shtunën në Durrës, kemi ndërmarrë me recetën elektronike, e cila do të fillojë në Durrës dhe brenda dy viteve do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë”, tha kreu i shëndetësisë në vend.
Z. Beqaj e vuri theksin edhe te zgjerimin e kompetencave të pushtetit vendor si rrjedhojë e ndarjes së re administrative-territoriale, përsa i takon funksionimit të shërbimit shëndetësor në territor.
“Tirana është tashmë qytet shumë i madh dhe Bashkia e re ka një territor akoma më të madh, ndaj dhe pushteti që del nga zgjedhjet e 21 Qershorit, do të ketë kompetenca më të gjera edhe sa i takon shërbimit shëndetësor, sidomos lidhur me vendndodhjen në territor dhe me funksionimin e Qendrave të ndryshme shëndetësore në territor, me orare më fleksibël, sipas stinëve të vitit apo epidemiologjive të caktuara”, tha z. Beqaj.
Duke ju përgjigjur interesimit të gazetarëve për planin e investimeve për të gjithë vitin, ministri i Shëndetësisë u përgjigj:
“Ne kemi një plan investimesh për këtë vit me burim të brendshëm rreth 7 milion dollarë dhe një shumë akoma më të madhe me financim të huaj. Praktikisht ne si Ministri Shëndetësie jemi në ritmet e programuara dhe madje kemi mundësi me projektet e hapura të thithim më shumë fonde. Ky investim konkret, vetëm pjesa e rikonstruksionit, pra vetëm investimi ndërtimor është rreth 630 mijë dollarë”.