Beqaj përuron Qendrën e re Shëndetësore në zonën e “Don Boskos”
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë në përurimin e pikës së re të Qendrës Shëndetësore nr 4 në Tiranë, e cila i shërben 25 mijë banorëve të zonës së “Don Boskos”. Qendra e re do të funksionojë sipas orareve të Kujdesit Parësor, nga ora 08:00-20:00, dhe shërbimi do të financohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
“Tirana është zgjeruar shumë, ndërsa vendndodhja në territor e Qendrave Shëndetësore të Kujdesit Parësor është po ajo që ka patur para 25 vjetësh. Me këtë shqetësim, ne vendosëm që këtë vit të jemi prezent më pranë qytetarëve dhe vendbanimeve të tyre, ndaj në ditët në vijim, përpos kësaj qendre që hapim sot, do të kemi edhe 3 qendra të tjera në Tiranë – njëra do të jetë në zonën e Komunës së Parisit, një tjetër në zonën e Unazës së madhe dhe një qendër tjetër në fund të rrugës “Siri Kodra”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj.
Z. Beqaj shprehu vendosmërinë për angazhimin e Qeverisë për të shkuar drejt Mbulimit Universal të popullatës, duke ofruar Cilësi dhe Akses universal, për ta ofruar shërbimin më pranë qytetarëve.
Kjo qendër e re është tashmë plotësisht funksionale dhe ofron të gjitha shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor.
“Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, në një kohë rekord, u hap kjo pikë e re që mbulon të gjithë zonën e “Don Boskos” me shërbim shëndetësor Parësor. Kjo qendër e re shëndetësore do të ofrojë shërbimin e Pediatrisë, Patologjisë, Check Up, Konsultori i Fëmijës, Injeksione etj”, u shpreh znj. Barie Karasani, drejtore e Qendrës Shëndetësore nr. 4.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me masat për sezonin turistik, për të mos patur më incidente, pas rastit të mbytjes së një të riu në Gjirin e Lalzit, ministri i Shëndetësisë u përgjigj:
“Mospasja e incidenteve nuk është në dorën tonë. Ne jemi angazhuar që t’i përgjigjemi sa më shpejt incidenteve të mundshme, që praktikisht, eksperienca tregon që ndodhin. Janë operative të gjitha Qendrat Shëndetësore që kemi hapur për sezonin turistik, në Alpe dhe nga Velipoja e deri në Sarandë e Ksamil. Në rastin e djeshëm, autoambulanca është përgjigjur në vendin ku është kërkuar brenda një orari prej 25 minutash, që për distancën, territorin dhe trafikun, është një orar i pranueshëm. Megjithatë, duke filluar me rritjen e intensitetit të shërbimit gjatë sezonit turistik, në fundjavë, në qendrat me përqëndrim të madh ne do të vendosim autoambulanca që të jenë aty, në mënyrë që të evitohet koha e vajtjes deri në vend.
I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë masa ndaj zv/drejtorit të FSDKSH, pasi drejtori i Përgjithshëm dha dorëheqjen dhe drejtori Rajonal ndodhet në burg, ndërkohë që z. Sokol Skuraj, emri më i përfolur vijon të jetë zv/drejtor i Fondit, ministri i Shëndetësisë dha këtë përgjigje:
“Lidhur me nëndrejtorin e Fondit, sikurse është bërë publike edhe në raste të tjera, së pari, ne kemi një komunikim me Inspektorin e Lartë të Deklarimit të Pasurisë, për të parë nëse ka konflikt interesi të detyrës së tij me tregun farmaceutik. Ndërkohë, drejtuesja e re e Fondit e komanduar që sot, do të vazhdojë të zbatojë rekomandimet e Njësisë Anti-Korrupsion të Këshillit të Ministrave, i cili ka masa administrative edhe për Drejtorinë e Përgjithshme të FSDKSH, edhe për Drejtorinë Rajonale të Tiranës, ndërsa organet e Prokurorisë, ndjekin linjën e tyre”.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me masat për të shfryrë fluksin në Pediatrinë e QSUT-së gjatë sezonit të verës, z. Beqaj u shpreh:
“Do të marrim të njëjtën masë sikurse ndërrmorëm vjet, pra do të aktivizojmë edhe këtë vit 3 pika të Tiranës. Edhe pse duhet thënë se vjet kemi patur një përdorim relativisht të vogël të këtyre pikave, kjo nuk na bën që të tërhiqemi, por kemi shtuar këtë periudhë një trajnim (i kryer në muajin maj) të infermiereve të Qendrave tona Shëndetësore, pranë shërbimit të Pediatrisë”.