Dashamir Gjergji: Moskurimi i diabetit sjell ndërlikime dhe sëmundje kronike
Intervista/Flet për “Koha Jonë” lidhur me diabetin mjeku i njohur Endokrinolog-Diabetolog, Dashamir Gjergji
Sëmundja e diabetit është kthyer në një sëmundje të përhapur në masë kohët e fundit në të gjithë botën, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, si shkak i shumëfishimit të rasteve të prekura nga kjo sëmundje. Por çfarë është diabeti? Nga se shkaktohet? Çfarë ndodh nëse nuk e pandalojmë në kohë? Si mund ta kurojmë? Të gjitha këtyre pyetjeve si edhe mjaft të tjerave i jep përgjigje mjeku i njohur Endrokrinolog-Diabetolog, Dashamir Gjergji.
Në një intervistë për gazetën”Koha Jonë”, mjeku shpjegon shkaqet e diabetit, rreziqet e mosparandalimit në kohë, mënyrën e të ushqyerit dhe si mund ta parandalojmë diabetin…
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Sëmundja e diabetit ka qenë mjaft e përhapur kohët e fundit. Mund të na thoni konkretisht me terma më të thjeshta se çfarë është diabeti i sheqerit?
Po është tërësisht e vërtetë që diabeti i sheqerit është kthyer në epidemi botërore, si shkak i shumëfishimit te rasteve të prekura nga kjo sëmundje. Në terma të thjeshta diabeti i sheqerit është sëmundje kronike që karakterizohet me nivele të larta të sheqerit në gjak. Sheqernat që ne marrim nëpërmjet ushqimeve janë të domosdoshme që organizmi t‘i kthejë në energji dhe të funksionojë. Sheqernat që marrim nëpërmjet regjimeve ushqimore përthithen nga sistemi tretës kthehen në gjak dhe nëpërmjet disa produkteve të tjera hormonale dhe biokimike bëhet e mundur që këto sheqerna të shkojnë në qelizën përkatëse si përshembull: tru, muskuj, veshka. Aty përpunohen dhe përftohet energji. Tek diabetikët niveli i sheqerit është tepër i lartë në gjak por është tepër i pakët në qeliza ndaj këtu është gjithë esenca e problemit tek këto të sëmurë. Kemi dy lloj tipesh të diabetit: diabeti i tipit 1 ose i fëmijëve dhe diabeti i tipit 2 ose i të rriturve.
A është gjenetike sëmundja e diabetit?
Sëmundja e diabetit sigurisht që ka në gjenezën e vet elemente të mosfunksionimit të mirë të gjeneve kryesisht diabeti tip 2 është sëmundje e pastër gjenetike, por edhe tipi 1 ka një komponent të lehtë të ndikimit gjenetik, kur themi me predispozitë gjenetike nënkuptojmë që në një moment të caktuar gjenet që ne trashëgojmë humbasin aftësinë për të sinjalizuar e për të mbajtur në kontroll vlerat e sheqerit në gjak.
Cilat janë shenjat e para që shfaqen tek një person diabetikë?
Shenjat e para klinike që shfaqen te diabetikët zakonisht kanë të bëjnë me ndryshimet e nivelit të sheqerit në gjak dhe sa më i lartë të jetë ky nivel aq më shumë do të manifestojë etje, urinim të shpeshtë dhe rënie në peshë. Shenjë tjetër treguese e diabetit është edhe shtimi i oreksit. Nuk duhet të harrojmë se diabeti në tërësi përveç këtyre shenjave mund të ketë dhe nervozizëm, irritim, çrregullime të pamjes, debulesë, përgjumje, infeksione në urinë e lëkurë, etj.
Po lidhur me ushqimet që duhet të shmangin dabetikët, a mund të na thoni cilat janë?
Ushqimet që diabetikët kategorikisht nuk duhet ti konsumojnë janë të gjitha ushqimet e përpunuara me bazë sheqeri përfshihen këtu ëmbëlsirat në tërësi, pijet e ëmbla, produkte të tjera të gatshme me bazë sheqeri apo fruktozë, pijet e gazuara me sheqer, lëngjet e frutave jo natyrale, akulloret dhe çokollatat me përmbajtje të vogël kakaoje. Gjithashtu duhet të reduktohen në maksimum produktet me përmbajtje të lartë yndyrore. Nuk duhet të konsumohet sallam, sallo derri, proshutë me dhjam, gjalp, majonez dhe produkte të tjera të industralizuara në fast-food, nuk duhet të konsumohen ushqime të skuqura dhe duhet të orientohen drejt ushqimeve të lëngshme pak të përgatitura dhe me përmbajtje të ulët të kalorive. Gjithashtu diabetikët duhet të kufizojnë në maksimum sasinë e alkolit dhe pa harruar që kur vlerat e sheqerit në gjak janë shumë të larta duhet të eleminojmë plotësisht alkoolin.
Po disa këshilla për mënyrën e të ushqyerit në përgjithësi?
Në lidhje me ushqyerjen në përgjithësi te diabetikët së pari nuk ndryshon shumë më ushqyerjen normale si tek jo diabetikët. Çdo diabetik sidomos tip 2 që ka si bashkëshoqëruese dhe mbipeshën duhet të ulë nivelin e kalorive me të pakten 500 k /kl në ditë, duhet të ruajnë një raport normal mes marrjes së sheqernave, yndyrnave dhe proteinave, duhet të dominojnë karbohidratet apo sheqernat natyrale të cilat rekomandojmë të merren nëpërmjet drithrave, frutave, perimeve, zarzavateve etj. Lidhur me yndyrnat dhe këtu mirë do ishte që ky burim energjetik të sigurohet nga produkte sa më natyrale siç mund të jenë yndyrnat që merren nëpërmjet qumështit, kosit, vezëve, mishit, pa harruar këtu dhe fitosterolet ku si produkt të pëlqyer për diabetikët ne rekomandojmë përdorimin e arrave, bajameve, kikirikëve, soja, fistik etj.
Duhet të bëjmë kujdes që të kufizojnë në maksimum marrjen e yndyrnave nga produktet e gatshme në totalin e yndyrnave ditore. Nuk duhet të marrin më shumë se 10% të këtyre yndyrnave, vaji i ullirit mbetet jo vetëm ushqim mesdhetar por edhe “doktori” ose mbrojtësi i jetës së çdo diabetiku, por kujdes sasinë jo më shumë se 2-3 lugë vaj ulliri në ditë. Ushqyerja e diabetikëve duhet të jetë e ekulibruar dhe me likide ku duhen kufizuar ushqimet e thata si fast-food dhe produktet e gatshme.
Si mund ta parandalojmë diabetin?
Diabeti parandalohet në tre mënyra. Parandalimi parësor konsiston në edukimin që e gjithë shoqëria merr dhe shërben me faktorë të tjerë të interesit në këtë fushë, e thënë shkurt mesazhi i këtij parandalimi nënkupton që e gjithë popullata duhet të bëjë një jetë të shëndetshme me ushqime natyrale dhe normal me aktivitet fizik të përllogaritur në varësi të grupeve shoqërore si dhe larg stresit e problematikave të tjera individuale dhe shoqërore. Parandalimi dytësor i diabetit nënkupton se duhet të diagnostifikohen sa më shpejt rastet më diabet, pra ne si struktura mjekësore të kërkojmë diabetikët tek ato grupmosha që ne i konsiderojmë si grupe rreziku dhe sa më shpejt të diagnostikohet diabeti, sa më shpejt të fillohet mjekimi aq më pak probleme do manifestojnë ato në ecurinë e mëtejshme, hallkë e zinxhirit që nga diagnoza deri në parandalimin e komplikacioneve konsiderohet parandalimi tretësor.
Po si ta kurojmë?
Kurimi i diabetit realizohet nëpërmjet gërshetimit të disa faktorëve terapeutik. Në bazë të tyre është mjekimi me barna dhe insulinë. Ky është atribut i specialistit diabetolog të përzgjedh mjekimin përkatës në varësi të çdo rasti, pjesë e mjekimit të diabetit është diabetoterapia, pra si duhet të ushqehen. Siç dhe e sqaruam më lart diabeti nuk mund të kurohet vetëm me barna dhe dietë, meqënëse rol luan dhe një jete aktive fizike ndaj rekomandojmë të kryejnë lëvizje nga 30-45 minuta pesë ditë të javës, kohët e fundit në botë po i mëshohet shumë dhe edukimit të diabetikëve si një çelës suksesi në trajtimin dhe vetmonitorimin apo matja e vlerave të sheqerit konsiderohet si një gur i rëndësishëm jo vetëm monitorimit por edhe kurimit të diabetit.
Moskurimi i diabetit në kohë shkakton pasoja të tjera shëndetësore. Mund të thoni se cilat janë disa prej tyre?
Nëqoftëse diabeti nuk kurohet në kohë, nëqoftëse nuk e marrin seriozisht problemin që ka herët a vonë këto sëmurë rrezikojnë të shfaqen ndërlikime të menjëhershme dhe kronike. Jo rrallë herë mund të jenë dhe vdekjeprurëse. Në dëmtimet kronike diabeti prek më tepër enët e gjakut, nervat dhe thuajse çdo qelizë të organizmit. Organet ku le më shumë shenjë shkatërruese diabeti janë sytë, dëmtime nga më të lehtat deri në verbim, veshkat që mund të arrijnë deri në dializë, dëmtim të zemrës, infarkte, tension i lartë i gjakut, pllaka aterosklerotike etj. Nga diabeti për fat të keq mund të gjymtyrohen dhe të invalidizohen ku përfundojnë në sëmundje të renda infektive gangrene kryesisht të gjymtyrëve që më vonë amputohen apo cungohen.
Dhe së fundmi, cilat janë gjërat që duhen të kenë parasysh diabetikët në ditët e nxehta që po afrojnë?
Në këtë stinë krahas këshillave që ne dhamë, diabetikët duhet të bëjnë kujdes në ruajtjen e barnave sidomos insulinës, të mbahet në temperaturë normale, të shtojnë përdorimin e ujit dhe lëngjeve, të shtojë matjet e nivelit të sheqerit, të evitojë daljen në diell në periudhën e mesditës ku rrezatimi është i dëmshëm.
Po ashtu, të bëjnë kujdes në higjenën e trupit dhe ushqimet që përdorin, të perdorin syze dielli, të përdorin kremra mbrojtës, të mos ecin zbathur dhe mbi rërën e nxehtë si edhe të qëndrojnë në ambjente të freskëta ku më shumë frekuentohet klima malore.