Depresioni jo vetëm sëmundje mendore, ai tret gjithë organizmin

Një nga sëmundjet më të zakonshme prej së cilës njerëzit vuajnë në ditët e sotme është depresioni. Depresioni është një çrregullim mendor i karakterizuar nga trishtimi , humbja e dëshirës dhe kënaqësisë për të bërë gjëra të ndryshme, ndjenja e fajit ose vetëvlerësim i ulët, gjumë i shqetësuar ose probleme me oreksin, ndjenja të lodhjes dhe përqendrimit të ulët.

Sipas këtij përkufizimi nga OBSH (Organizata Botërore e Shëndetit) duket sikur depresioni është një sëmundje mendore, por kërkimet e fundit shkencore të kryera prej një skuadre ndërkombëtare kërkuesish në Universitetin e Granadës në Spanjë, ka provuar shkencërisht për herë të parë se depresioni është më shumë se një çrregullim mendor – ai shkakton ndryshime të rëndësishme në stresin oksidativ (çlirim i radikaleve të lira toksike në organizëm). Duke qenë se prek pothuajse të gjithë organizmin ai duhet të konsiderohet si një sëmundje sistemike.

Rezultatet e kësaj punë kërkimore të publikuara në revistën “Psikiatria Klinike” mund të shpjegojnë lidhjen sinjifikante që ekziston midis depresionit dhe sëmundjeve kardiovaskulare e kancerit dhe pse njerëzit që vuajnë nga depresioni vdesin në moshë më të re. Në të njëjtën kohë, ky studim mund të ndihmojë në gjetjen e terapive të reja për parandalimin dhe mjekimin e depresionit.

Studimi u udhëhoq nga Sara Jiménez Fernández, Ph.D. studente në Universitetin e Granadës dhe psikiatrie në qendrën mjekësore ”Jaén”, në njësinë e Shëndetit Mendor për Fëmijë dhe Adoleshentë në Spanjë.

Ky studim është i pari i detajuar në llojin e tij rreth asaj që ndodh në trupin e njerëzve që vuajnë nga depresioni. Ai konsiston në një meta analizë të 29 studimeve paraprake që përfshijnë 3961 njerëz, ku u studiua disbalanca midis rritjes së parametrave të ndryshëm të stresit oksidativ sidomos të malondialdehidit dhe uljes së substancave antioksidante si p.sh.: acidi urik, zink, dhe enzima superoksid dismutazë.

Malondialdehidi është një nga produktet finale të oksidimit të acideve yndyrore të pasaturuara në qeliza. Një rritje e radikaleve të lira toksike shkakton mbiprodhim të MDA. Malondialdehidi përdoret si biomarker për të kontrolluar procesin oksidativ të membranës qelizore.

Çfarë është stresi oksidativ?

Ne kemi nevojë për oksigjen që të jetojmë dhe të marrim frymë, por oksigjeni mund të ketë edhe efekte të dëmshme në organizëm. Oksigjeni është shumë reaktiv dhe mund të dëmtojë indet –ja pse kemi prodhimin e antioksidantëve si p.sh. acidi urik që përmendëm më sipër. Prej kësaj (reaktivitetit të O2) rrjedh koncepti i stresit oksidativ i cili reflekton çekuilibrimin midis manifestimit të lëndëve oksigjen reaktive dhe aftësisë së sistemeve biologjike të gatshëm për të detoksikuar mediatorët reaktivë ose për të riparuar dëmtimet e shkaktuara.

Kërkuesit zbuluan se te pacientët që marrin mjekim për depresion vlerat e MDA vijnë duke u ulur. Gjithashtu u vu re se niveli i substancave antioksidante tek personat me depresion shkoi drejt normës, kur ata morën mjekim, pra antioksidantë si acidi urik, zink.

Ekzistojnë shumë evidenca që depresioni shoqërohet me shumë probleme të tjera shëndetësore.

Sëmundjet kardiake dhe depresioni. Një studim i fundit prej 13 vitesh tregoi se pacientët me depresion ishin 4.5 herë më të rrezikuar për të përjetuar atak kardiak dhe 3 herë më shumë ishin të predispozuar për të vdekur pas atakut.

Kanceri dhe depresioni. Instituti Kombëtar i Plakjes tronditi botën e mjekësisë me rezultatet e një studimi të jashtëzakonshëm. U studiuan 4,825 njerëz të moshës 71 vjeç dhe më të vjetër ku u zbuluan se ata që vuanin nga depresioni kronik për të paktën 6 vitet e fundit kishin 88% risk më të lartë për të zhvilluar kancer në 4 vitet e ardhshme.

Hipertensioni dhe depresioni. Një studim nga Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve siguroi evidenca bindëse se depresioni dhe ankthi mund të luajnë një rol madhor në shkaktimin e kësaj gjendjeje (hipertension) . Ky studim si pikë referimi filloi në fillim të viteve 1970 me teste psikologjike të përgjithshme të afërsisht 3000 të rriturve me presion gjaku normal. Kur kërkuesit shkencorë kontrolluan presionin e gjakut dhe të dhënat mjekësore të subjekteve 7-16 vjet më vonë, u vu re një trend i jashtëzakonshëm: Njerëzit, që vuanin nga depresioni apo ankthi në fillim të studimit, ishin 3 herë më të predispozuar për të zhvilluar hipertension pas 7-16 vitesh.

Të gjitha këto studime dëshmojnë se depresioni prek gjithë organizmin dhe jo vetëm shëndetin mendor. Një kuptim i mirë i këtij fakti do të ndihmonte shkencëtarët të zbulonin trajtime të reja më efektive për depresionin dhe sëmundjet e tjera bashkëshoqëruese.

SHKARKO APP