Dibër, Beqaj: 130 mijë euro investim për qendrën shëndetësore të Kastriotit

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka zhvilluar sot një vizitë pune për nisjen e rikonstruksionit në disa qendra shëndetësore në Dibër.

Ministri Beqaj ka pohuar se në çdo qytet apo zonë rurale po punohet për t’i ofruar kujdes shëndetësor me Mbulim Universal dhe Akses Universal çdo qytetari që i drejtohet qendrave shëndetësore apo spitaleve. Beqaj theksoi se është e domosdoshme që edhe në Qendrën Shëndetësore të Kastriotit, të krijohen mundësitë për të siguruar një përmirësim të ndjeshëm të kushteve dhe mjediseve të këtij institucioni.

“Kjo qendër shëndetësore mbulon një popullsi jo të vogël dhe besoj se në muajin tetor do të fillojnë punimet për zbatimin e një projekti, i cili parashikon përmirësimin dhe rehabilitimin e mjediseve të Qendrës Shëndetësore, i shoqëruar bashkë me furnizimin me pajisje mjekësore. Janë rreth 130 mijë euro që do të investohen në këtë qendër shëndetësore për të rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimit shëndetësor që ofrojmë,” ka pohuar ministri Beqaj.

Beqaj pohon se “Mjekët, infermierët, përkushtimi i tyre, profesionalizmi i tyre, do të jenë shumë më të plota me këtë qendër të rikonstruktuar dhe me pajisjet e reja, por edhe me faktin që mjekët, edhe këtu në Kastriot si në të gjithë Qarkun e Dibrës, kanë marrë çantat me pajisjet mjekësore individuale në mënyrë që të kryejnë një mjekim shumë më të mirë dhe në vizitat ambulatore, sidomos në një zonë rurale,” theksoi ministri Beqaj.

SHKARKO APP