Dibra me kabinet të ri kardiologjie
Peshkopi, 15/02/2016 – Rreth 2000 banorë të cilët kanë probleme kardiake në rrethin e Dibrës nuk do t’i drejtohen më kryeqytetit për të kryer një ekzaminim ECHO-je, për të kryer provat ushtrimore apo të ekzaminohen me Holter tensioni arterial apo Holter ritmi kardiak, falë hapjes së kabinetit të kardiologjisë në në këtë spital rajonal.
Gjatë përurimit të këtij kabineti Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka theksuar se 180 mijë banorët e Qarkut të Dibrës tashmë do të marrin shërbimin e tyre shëndetësor më pranë zonës së banimit, duke bërë të mundur uljen e kostove në xhepin e gjithsecilit prej tyre, por edhe duk çliruar fluksin e pacientëve në Qendrat Universitare të kryeqytetit. Ndër të tjera, kreu i shëndetësisë theksoi se, “kabineti i ri i kardiologjisë që funksionon prej fillimit të vitit në Spitalin Rajonal të Dibrës është vijim i angazhimit tonë për të përmirësuar ndjeshëm shërbimin spitalor, me fokus edhe te sëmundjet kardiovaskulare, të cilat kanë edhe barrën më të lartë të sëmundshmërisë në Shqipëri”.
Me investimet e bëra nga Ministria e Shëndetësisë për ngritjen e këtij kabineti që kap vlerën e 5.8 milion lekëve nga Buxheti i Shtetit, mjekët do të kenë mundësi të kapin më herët problemet kardiake të pacientëve të zonës, duke i shërbyer padyshim, shumë më mirë banorëve të zonë dhe duke i’u dhënë mundësinë mjekëve kardiologë të shprehin shumë më mirë dijet dhe njohuritë e tyre, tha më tej Ministri Beqaj.
“Eshtë një kabinet që i ka munguar këtij spitali, dhe një shërbim që i ka munguar banorëve këtu,” vijoi më tej ai, duke theksuar se, “me zgjerimin e shërbimit spitalor, me ofrimin e “check-up”-it falas, me zerimin e tarifave të mjekut të familjes, me uljen e ndjeshme të tarifave të shërbimit të mjeku specialist, ishte e domosdoshme që cikli i ekzaminimeve të mbyllej po këtu në Dibër, pa qenë nevoja që banorët e Dibrës të udhëtojnë drejt Tiranës. Kemi një ECHO zemre, një pajisje për provën ushtrimore të ngarkesës së zemrës, Holter zemre, Holter tensioni, Elektrokardiogramë”.
Sipas të dhënave rezulton se numri i përgjithshëm i vizitave për probleme kardiake është rreth 8500 në vit, ndërkohë që sëmundshmëria kardiake në Rrethin e Dibrës vlerësohet se shkon deri në 25%, u shpreh mjekja kardiologe Shpresa Topuzi.
Hapja e këtyre kabineteve pranë Qendrave Shëndetësore të Specializuara sipas Ministrit të Shëndetësisë ishte edhe më e nevojshme pas nisjes së kontrollit bazë për moshat 40-65 vjeç, pasi qytetarët të cilët rezultonin me probleme nga “chek_up” duhet të vijonin të tjera kontrolle të specializuara. “Ne do të vijojmë të plotësojmë edhe shërbimet e tjera spitalore këtu edhe në spitalet e tjera rajonale, për të ofruar shërbime të tjera të specializuara”, – tha z. Beqaj.