Dita Botërore e Tuberkulozit, çdo vit vdesin 9 milionë njerëz

Dita Botërore e Tuberkulozit mbahet çdo vit në 24 mars. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nëpërmjet një postimi në rrjetin social tha se “sot është Dita Botërore e Tuberkulozit. Çdo vit 9 milion njerëz preken nga kjo sëmundje në Botë, dhe 3 milion prej tyre nuk arrijnë të marrin kujdesin shëndetësor që meritojnë”.

Ndërsa vendet e botës shënojnë Ditën Botërore të Tuberkulozit, më 24 mars, Organzata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, po nxjerr një strategji të re për t’i dhënë fund epidemisë botërore të tuberkulozit. OBSH po bën thirrje për mbështetje në shkallë botërore për ta zhdukur këtë epidemi në 20 vitet e ardhshme.
Dy strategji të mëparshme i kanë hapur rrugën kësaj të fundit, që është plani më ambicioz. OBSH ka bindjen se strategjia e tanishme, e quajtur “End TB”, ka shanse të mira për të patur rezultat, për shkak të suksesit të straegjive “DOT TB” dhe “Stop TB”, që u paraqitën në fillim të shekullit.

Vitet e fundit, në luftën kundër tuberkulozit është arritur përparim i jashtëzakonshëm. Mes viteve 2000 dhe 2013, rreth 37 milionë jetë njerëzish janë shpëtuar përmes diagnostikimit dhe trajtimit të tuberkulozit. Por OBSH thotë se nevojitet të bëhet shumë më tepër për të luftuar këtë sëmundje vdekjeprurëse.
Synimi i ditës botërore të turbekulozit është që të promovojë ndërgjegjësimin, njohuritë dhe motivimin për të vepruar kundër tuberkulozit në mbarë botën. Ajo e ka origjinën në vitin 1882, kur u festua 100 vjetori i zbulimit të bacilit të TB-së nga Koch.

Por, pavarësisht se ka më shumë se një shekull që është zbuluar shkaktari dhe shumë dekada që ekzistojnë medikamente efikase për luftimin e saj, përsëri kjo sëmundje vazhdon të marrë miliona jetë njerëzish . Çdo vit sëmuren rreth 9 milionë njerëz me TB dhe, ndër ta, rreth 1.2 milionë vdesin.

Tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse, që zakonisht prek mushkëritë. Por nganjëherë mund të prekë dhe organe të tjera, si trurin, veshkat, kolonën vertebrale apo dhe organe të tjera. Mikrobi i tuberkulozit përhapet nga njeriu i sëmurë me anë të ajrit, kur ai kollitet, teshtin apo edhe qesh.
TB nuk përhapet me anë të duarve, pjatave, lugëve dhe sendeve të tjera. Mund të jesh i infektuar me mikrobet e TB pa qenë i sëmurë me TB. Kjo ndodh kur sistemi mbrojtës i organizmit ndalon mikrobet të zhvillohen, por ato qëndrojnë “të fjetura” për shumë vite.

Njerëzit me TB zakonisht kanë: kollë me gëlbazë, që zgjat më shumë se tri javë. Por mund të kenë dhe shenja të tjera: dobësi të përgjithshme, rënie në peshë, ulje oreksi, ethe të lehta, djersitje veçanërisht natën, dhimbje gjoksi, pështymje gjaku dhe mbajtje fryme.

SHKARKO APP