Donald Trump dhe Melania, fushatë kundër cigareve elektronike
Autoritetet amerikane të shëndetësisë po mendojnë të ndalin shitjen e të gjitha cigareve elektronike me aroma. Produktet kanë nisur të përdoren në masë nga gjimnazistët dhe studentët, por gjashtë prej tyre kanë vdekur nga sëmundjet mushkërore.
Thithja e cigareve elektronike aromatike po kthehet në një epidemi vdekjeprurëse për moshat e reja në Amerikë.
Të paktën 450 pacientë janë diagnostikuar me sëmundje misterioze të mushkërive, ethe, kollë apo të vjella në 33 shtete të vendit, nga të cilët 6 kanë gjetur vdekjen.
Për pasojë, qeveria amerikane, me mbështetjen e agjencisë për kontrollin e ushqimeve dhe medikamenteve, ka propozuar ndalimin e plotë të tyre.
“Kemi një problem me cigaret elektronike në vendin tonë, që po prek fëmijë të pafajshëm dhe po u merr jetën. Askush nuk do e mendonte këtë,” deklaroi të mërkurën presidenti Donald Trump.
Përkrah tij, zonja e parë, Melania Trump, dhe ministri i shëndetësisë, Aleks Azar, thanë se aktualisht në Amerikë ka 8 milionë të rritur që përdorin cigare elektronike me shije menteje apo freskuese.
Raportohet se gati 25 për qind e gjimnazistëve janë konsumtarë të këtyre cigareve, një rritje dyshifrore nga viti 2017.
“Po rritim një brez të tërë fëmijësh të varur nga nikotina,” u shpreh i shqetësuar ministri amerikan, duke paralajmëruar ndalimin e disa produkteve brenda muajit derisa të publikohen kritere të qarta.
Cigaret elektronike me shije duhani do të vazhdojnë të jenë disponueshme në treg për personat e rritur që i përdorin për të hequr dorë nga cigaret e vërteta.
Disa shtete, mes tyre Miçigani, San-Francisko apo Kolorado e kanë ndaluar shitjen e cigareve të aromatizuara, dhe një hap të tillë po hedh edhe qyteti i Nju-Jorkut.