Dr. Leonidha Peppo: Bëni kujdes, zemra nuk fal

Flet për “Koha Jonë”, Dr. Leonidha Peppo, kardiolog i qendrës shëndetësore nr. 4 Tiranë

Intervistoi: Albert Vataj

Në dhomën e tij të vizitave në qendrën shëndetësore nr. 4, Tiranë ka gjithnjë pacientë, që nga ata që kanë nevojë për këshillat e një mjeku specialist për problemet kardiovaskulare, te bashkëbisedimi mjek-pacient, deri tek vizitat e detajuara dhe konsultat mes kolegëve. Në punën e tij të përditshme, profesionalizmi, por edhe thjeshtësia dhe zhdërvjelltësia e bisedës me pacientin, tipar që karakterizon doktor Leonidhën, janë tregues i emrit të mirë që ai ka krijuar. Pra, komunikimi mbetet një komponent favorizues në aktivitetin e tij si mjek. Është kjo veçori dalluese që e afron atë më shumë me pacientin, që ai të jetë bashkëpunues dhe vlerësues i asaj ure komunikimi që ka shumë vlerë në këtë mision. Përvoja e gjatë si kardiolog e favorizon doktor Leonidha Peppo në sfidën e çdoditshme të përballjes me probleme dhe komplikacione të ndryshme të shëndetit të zemrës së pacientëve. Ai është gjithnjë në momentin e duhur për t’i dhënë zgjidhje situatave të ndryshme, sikurse nuk refuzon asnjëherë të jetë i përfshirë në komunikimin publik, në atë sensibilitet kaq të domosdoshëm për ata që vuajnë dhe ata që duhet të bëjnë kujdes për shëndetin e zemrës. Angazhimi në forumet dhe tubimet e kardiologëve është një vlerë e shtuar e punës dhe performancës së tij. Përditësimi dhe pasurimi i dijeve, atë e mban gjithnjë në koherencë, gjithnjë të gatshëm të jetë një shërbestar i përkushtuar dhe një doktor që përmbush detyrimet e pasionit të tij të mjekut. Çdo ditë për doktor Leonidha Peppon është një ditë me shumë tension, një ditë me angazhime të vazhdueshme dhe një pune e mundishme dhe vijuese. Duke qenë se pacientët kryesisht janë të moshuar, puna për të është edhe më e mundimshme dhe sakrifikuese, por ai ka ditur të japë më të mirën, të bëjë maksimumin.

Por, cili është Leonidha Peppo, doktori kardiolog?

Gjatë një bashkëbisedim me “Koha Jonë” ai tregon për veten, por kryesisht për punën e tij, për pacientët, për kujdesin që duhet të tregojmë secili nga ne për zemre, e cila sipas tij, nuk fal.

 

Cili është Leonidha Peppo, doktori kardiolog, pasionant i vrapit nga liqeni dhe skive, që e thërrasin Loni?

Angazhimet e mia datojnë në vitin 1977 në Mirditë, saktësisht pas mbarimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë. Në këtë periudhë, pjesën më të madhe të punës e kam kryer në fshatin Domgjon, ose i njohur ndryshe si fshati i Pjetër Llesh Dodës, heroit të filmit të njohur “Rrugë të bardha” me personazh kryesor Dedën e famshëm: “Alo Dedë”. Më tej, karriera në fushën e kardiologjisë ka vazhduar në QSUT, spitalin qendror, duke vijuar me specializime të njëpasnjëshme në kardiologji, duke marrë trajnime kualifikuese disa herë, në Paris për ekografitë e zemrës. Gjithashtu, kam qenë pjesëmarrës aktiv në shumë veprimtari shkencore ndërkombëtare jashtë dhe brenda vendit, duke kontribuar njëkohësisht me një seri shkrimesh e artikuj shkencorë mjekësorë në periodikë të ndryshëm dhe në shtypin e përditshëm.

Petraq Peppo, historiani që bëri epokë, është babai juaj, ishte një emër i madh në kujtesën tonë kombëtare, çfarë mund të na thoni diçka?

Për të kuptuar më mirë se cili ishte babai im, Petraq Peppo, ai që u laureua për histori në Francë dhe ushtroi detyrën e pedagogut në Liceun e Korçës dhe Normalen e Elbasanit, i dha mësim Enver Hoxhës, mund të sjell një detaj pak të njohur, të cilin e dëshmon, Misto Treska, ish-diplomat, përkthyes dhe publicist i njohur. Ishte viti 1940, tregon ai, në Pallatin e Brigadave, Francisko Jakomoni, mëkëmbësi në Shqipëri i Mbretit Viktor Emanueli i III, kishte thirrur ajkën e intelektualëve shqiptarë. Qëllimi i këtij takimi ishte tentativa për të kaluar në anën e fashizmit sa më shumë intelektualë, ose thjesht një seancë demagogjie në favor të “të mirave” që po sillte fashizmi në Shqipëri. Me të përfunduar mëkëmbësi i Mbretit, e merr fjalën historiani, Petraq Peppo, në atë kohë mësimdhënës në Normalen e Elbasanit. “Kujt i tregoni ju se çfarë është fashizmi! Kujt i thoni ju se fashizmi çliroi Shqipërinë? Trupat tuaja ushtarake në vendin tonë thonë vetëm pushtim, fashizmi nuk sjell ndërtim, por robëri”, sipas Tereskës, pak a shumë këto ishin fjalët e profesor Peppos.

“Ngelëm të gjithë si hunj. Nuk e kuptuam ku e gjeti gjithë atë guxim”, kishte thënë Aleks Buda, pjesmarrës gjithashtyu në këtë takim.

Një ditë më pas babait i hodhën prangat dhe e internuan në Itali. Por kalvari me pushtuesit italianë i profesor Peppos nuk merr fund as pas 2 vitesh internim, sepse në 1943 ai arrestohet sërish dhe mbyllet në kampin e përqendrimit të Porto Romanos në Durrës, për këtë, Ylli Poloska, shkruan në librin “Në skëterrën fashiste”.

Një tjetër detaj ku ndërhyrja e historianit Petraq Peppo, ishte përcaktues, që fati të anonte në anën shqiptare, ishte takimi në Konferencën e Paqes në Paris, në gushtin e vitit 1946. Atmosfera e krijuar në Konferencën e Paqes në Paris ishte bërë e vështirë për delegacionin shqiptar. Grekët, të mbështetur kryesisht nga britanikët, kishin marrë revanshin në akuza. Politikisht mëshonin që Shqipëria të rreshtohej në listën e shteteve agresore, apo fashiste të Luftës së Dytë, ndërsa në një tjetër nivel takimesh, një grup historianësh të tyre rreshtonin argumente për të pastruar fushën e kundërshtive me qëllim që shteti i tyre të shtrinte kthetrat në drejtim të Vorio Epirit.

Kështu, teksa politikanët e rinj komunistë shqiptarë përpi­qeshin tu mbushnin mendjen fuqive fituese të luftës, se vendi i tyre ishte viktimë e agresionit fashist, në një sallë të veçantë, nën mbikëqyrjen e drejtuesve të saj, historianët grekë dhe shqiptarë, ishin përplasur edhe më fort mes tyre me argumente dhe kundërargumente për përkatësinë tokësore të Vorio Epirit. “Është tokë greke. Që të gjitha gërmimet arkeologjike në Apoloni apo edhe në vende të tjera e vërtetojnë këtë. Aty janë gjetur me shumicë shkrime të vjetra në greqisht, monedha të vjetra greke…”, ishte pretendimi më këmbëngulës i grekëve. “Atë­herë në bazë të kësaj logjike ju, grekëve, edhe francezët duhet t’ju japin edhe Parisin, duhet t’ju japin edhe këtë sallë ku ne po flasim, pasi në disa kisha të vjetra, jo shumë larg nga këtu, ka pllaka me mbishkrime në greqisht, por edhe monedha të vjetra greke…”, kishte qenë kundërpërgjigjja më e fortë dhe shkatërruese e një historiani shqiptar që fliste një frëngjishte të rrjedhshme, ai ishte Petraq Peppo.

Këto dhe të tjera ndodhi e shpalosin figurën e plotë të historianit, profesor, Petraq Peppo, i cili ishte një zë i kurajshëm përfaqësimit dhe ruajtjes së interesave kombëtare shqiptare. Pas çlirimit deri në fund të jetës dha një kontribut të shquar si studiues i historisë në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Shkencave.

Çfarë komenti do të kishit për konstatimin se në vitet e sistemit monopartiak njerëzit ishin kudo në rradhë të gjata, ndërsa sot nuk ka askund rradhë përveçse në shërbimin shëndetësor parësor, ambulator dhe atë farmaceutik?

Sigurisht, ndihem mirë që nuk ka radhë të gjata që më parë i kemi hasur me shumicë për të përmbushur nevojat e jetesës së mirë, por duhet edhe cilësia e jetës dhe shëndetit, dhe për këtë, njerëzit vijnë me ndërgjegje të plotë për të përmbushur kërke­sën dhe për të pasur shëndet të mirë me shërbim shëndetësor në të gjithë nivelet e kujdesit mjekësor.

Si një kardiolog me eksperiencë të gjatë, cili është mendimi juaj për situatën aktuale në lidhje me patologjinë kardiovaskulare?

Si në të gjithë botën, edhe në vendin tone, sëmundjet kardiovaskulare kanë të njëjtën përqindje: 53-56 % të të gjithë llojeve të sëmundjeve që vijnë nga raca, faktori jetësor, si: mënyra e jetesës, aktiviteti fizik, duhani, tensioni i lartë i gjakut, yndyrat e larta në gjak, drogat që janë të pranishme në këtë kohë, ushqimi i çrregullt, që krijojnë sëmundje kardiovaskulare të shkallëve të ndryshme. Kjo është një temë shumë e gjerë për t’u trajtuar.

Cilat grupmosha janë më të prekura nga sëmundjet kardiovaskulare dhe cili është shkaku kryesor?

Për meshkujt, sëmundja e zemrës fillon mbi moshën 45-50 vjeç, ndërsa tek femrat këto sëmundje fillojnë mbi moshën 60 vjeç për shkak të hormoneve femë­rore që janë mbrojtëse për këto sëmundje. Gjithësesi, këto sëmundje rëndohen nga faktorë të brendshëm, siç janë ato familjare, por edhe ambientale, si për shembull: ushqimi yndyror shtatzor, duhani, drogat, jeta sedentare pa ushtrime fizike.

A mund të flasim për shkaktarë konkretë dhe rreziqe potenciale që kanë ndikuar në uljen e grupmoshave të pre­kura nga sëmundjet kardiovaskulare?

Sigurisht, kjo është një dukuri shqetësuese: ulja e moshës së të sëmurit që preket nga sëmundjet e zemrës. Kjo vihet re edhe në vendet e zhvilluara, ku duhani dhe alkoolet e forta e të tepërta, drogat, kripat e shtuara janë faktorë që favorizojnë sëmundjet kardiovaskulare. Prandaj, sot, zhvillohet një luftë e madhe që e shohim kudo nëpër qytetet e huaja ku shkojmë, fletushkat e ngjitura në metro, autobusë, rrugë, filmime video për propagandë të fuqishme kundër këtyre fenomenëve vdekjeprurës. Prandaj, edhe ne, me gjithë mundësitë dhe iniciativa, duhet të bëjmë këtë luftë për të pasur arritje në uljen e sëmundshmërisë kardiovaskulare.

Ju merrni pjesë rregullisht në seminare, simpoziume, forume dhe tubime kardiologjike. Çfarë keni konstatuar se ka tërhequr më shume vëmendjen e kolegëve tuaj nga përvojat dhe eventualitetet me të cilat ato përballen?

Sigurisht, pjesëmarrja në këto ngjarje shumë të rëndësishme për mjekët dhe njohuritë e reja që mësojmë aty janë një pasuri e shtuar, që dijet e përfituara të jenë përparimtare dhe mundësisht të zbatueshme në vendin tonë. Shumëllojshmëria e leksioneve dhe praktikave i pajisin mjekët tanë me besimin për të vepruar dhe për t’ia dalë mbanë pranë të sëmurit.

Çfarë neglizhencash janë ato që çojnë një qytetar në një fazë të pakthyeshme të problemeve me zemrën?

E para, e thënë edhe më lart, është stili i jetesës me të gjithë faktorët e përmendur më sipër, dhe pas saj, mbetet mjekimi i çrregullt ose më saktë, rastet kur të sëmurët nuk mjekohen fare. Ky është gabimi më i madh që bëjnë të sëmurët, që janë gati 30%. Por, edhe në botë, ndodh i njëjti fenomen dhe shifrat janë të përafërta. Më pas, është tjetër gjë fakti se mjekimi lëviz me stinën, me efekte anësore të barnave apo doza të ndryshme të tyre. Këto janë fenomene shumë të rëndësishme sepse kanë të bëjnë me jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetesës.

A mendoni se kapja e problemeve të zemrës në një periudhë të hershme do të bënte të mundur rikuperimin total të gjendjes së një të sëmuri si rezultat i trajtimit këshillues dhe medikamental mjekësor?

Sigurisht, ka diagnoza (sëmundje) të zemrës që mund të kapen që në fillim për të pasur mundësi të arrijmë rregullimin e plotë të saj, por këtu duhet thënë që me rëndësi është bashkëpunimi i të sëmurëve me mjekët. Janë shumë arsye se përse mbeten të fshehta shenjat e sëmundjes. E para, personi nuk do që ta quajë veten të sëmurë, dhe shpesh, duke fajësuar mjekun që nuk e tha drejtë diagnozën. E dyta, shkaqe shoqërorë në marrëdhëniet e tyre me të tjerë dhe shkollimi i tyre gjithashtu. Kjo fazë zgjat derisa marrja e barnave është përsëri rezistente, por, ndërkohë sëmundja përparon. Ka edhe sëmundje që nuk rikuperohen totalisht. Pra, këta pacientë do krijojnë miqësi me mjekët duke qenë tashmë kompani e përbashkët në marrje vendimi dhe zbatim këshillash e mjekimesh.

A mendoni se jemi në një situatë të nevojës për një sensibilizim shoqëror, dhe kjo a do të ndikonte në shtytjen e kufijve të rrezikut të sëmundjeve të zemrës?

Po, sapo e përmendëm më lart. Pra, ka nevojë për sensibilizim të fuqishëm nëpër mediat e të gjithë llojave, të fjalës, të mjekëve dhe njëlloj siç bëhet për sëmundjet e kancerit apo dhunës ndaj grave, apo edhe sëmundjeve të tjera të rëndësishme. sepse sëmundjet e zemrës, disa lloje, zgjasin jetën më pak se ato që thamë më lart.

A mendoni se një jetë cilësisht e shëndetshme, një kontroll rigoroz dhe trajtime konform këshillave të mjekëve, mbajnë larg rrezikun e zemrës dhe garantojnë jetëgjatësine, nëse po, cilat do të ishte urdhëresat tuaja të shëndetit të mirë?

Sigurisht, qëllimi është përgjigja e pyetjes tënde, sidomos, urdhëresat e sigurta. Të kenë shëndet duke rritur kulturën e përgjithshme dhe kulturën mjekësore në veçanti, për të arritur të kuptojnë që stili i jetesës është i domosdoshëm dhe zbatimi i rregullave dhe këshillat e mjekut, duke përfshirë edhe oraret e pirjes së ilaçeve, dhe duke u bërë edhe mjeku i vetëvetes aq sa mundet.

SHKARKO APP