Evitoni diellin! – I nxehti, më të predispozuar fëmijët e porsalindur deri në një vjeç
Temperaturat e larta të stinës mund të sjellin komplikacione të shëndetit për fëmijët që qëndrojnë me orë të zgjatura në diell. Mjekët pediatër rekomandojnë që fëmijët të evitojnë daljet në orët e pikut si dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje.
Në këto ditë të nxehta vere një kujdes i shtuar duhet të tregohet dhe ndaj fëmijëve.
Qëndrimi i tyre me orë të zgjatura në diell mund të sjellë komplikacione të rënda në shëndet, thotë mjeku pediatër Polikron Çela, ku veçon rastet e goditjet nga dielli dhe të nxehtit.
Çela: Nëse kemi një fëmijë në një dhomë me temperaturë të lartë atëherë këta fëmijë kalojnë në një gjendje kllapie, i mbulojnë djersët. Problemi tjetër dhe më i rrezikshëm është goditja nga dielli.Kjo ndodh më tepër tek të rinjtë e moshave më të larta që rrinë përjashta në diell dhe këto mund të shkaktojnë dëmtime të rënda me rritje të temperaturës, me humbje të ndërgjegjes deri në vdekje.
Me të predispozuarit janë të porsalindurit deri në moshën 1 vjeç. Çela apelon qe te evitohen oraret e pikut.
Çela: Të gjithë kemi në tru një qendër që rregullon temperaturën. Në këto mosha është e pazhvilluar, nuk e kontrollon dot. Duke u rritur fiton aftësinë për ta kontrolluar. Dhe çfarë ndodh? Fëmija është i shëndoshë, nuk ka asgjë, merr temperaturën e dhomës. Merr temperaturën 40 duke qenë i shëndoshë. Midis orës 10-18, fëmijët të qëndrojnë brenda.Por jo të jenë mbyllur por të gjendet një mënyrë që të lozin.
Vetë prindërit tregojnë se zgjedhin mjedise te fresketa kur dalin me fëmijët. Kujdes i veçante duhet treguar edhe në ushqyerjen e fëmijëve.
Çela: Lëngu më i mirë është uji, po e përsëris uji. Të heqin dorë nga lëngjet e blera. Ose lëngje frutash që i përgatisin vetë por të holluara dhe pa sheqer. Supa me perime, sa më shumë fruta, të cilat u sigurojnë ato kalori të domosdoshme.
Rekomandohet që fëmijët të vishen lehtë dhe të përdorin kapele.
(oranews)