Faktorët që çojnë në infertilitet

E pamundur të ngeleni shtatzënë?! Ja disa shkaqe të infertilitetit!

Çfarë e shkakton infertilitetin?
Fertiliteti tek femrat ulet me kalimin e moshës, por edhe gjatë viteve të saj më fertile (ndryshe të shëndetshme), mënyra, stili i jetesës dhe faktorët e jashtëm mund të ndikojnë në mundësitë që një grua të lindë fëmijë të shëndetshëm.

Sipas mjekëve, gratë që duan të mbeten shtatzëna, jo gjithmon njohin me saktësi se çfarë duhet të bëjnë dhe për çfarë duhet të kujdesen. Këtu janë disa nga faktorët që ndikojnë (ose jo) në fertilitetin e gruas, si dhe këshillat që duhet të ndiqni:

Obeziteti
Mbipesha ndikon në prodhimin e hormoneve dhe e vështirëson procesin për të ngelur shtatzënë. Sa më shumë të shtoni në peshë, aq më shumë jeni të predispozuara për probleme me sistemin ovarian riprodhues. Një studim i vitit 2009 në Shtetet e Bashkuara, konstatoi se gratë mbipeshë deri në moshën 18 vjeç, kishin riskun e Sindromit Policistik të vezoreve (PCOS) dhe rrjedhimisht kishin probleme me infertilitetin. PCOS është një çrregullim hormonal në femra të moshës riprodhuese dhe shkaku kryesor i infertilitetit.

Nënpesha
Ashtu si mbipesha e trupit në fertilitet, edhe të qenit nën peshë ndikon po njësoj. Kjo për shkak se gratë që kanë BMI shumë të ulët, kanë defiçit në leptinë; hormoni që kontrollon urinë dhe ngopjen. Duke pasur leptinë të ulët, kjo ndikon në çrregullimin e periudhave të menstruacioneve. Mbajtja e një trupi të shëndetshëm – sjell një BMI normale që arrihet nëpërmjet kombinimit të një diete të shëndetshme dhe aktivitetit fizik duke lehtësuar procesin për të mbetur shtatzënë.

Mosha
Kur një grua arrin menopauzën, zakonisht në të 40-at, procesi i ovulacionit është përmbyllur dhe kjo nuk është më në gjendje për të mbetur shtatzënë. Por edhe në dekadën para se menopauza të fillojë, ato mund të përjetojnë probleme të fertilitetit, duke qenë se ovulacioni sa vjen e bëhet më pak i rregullt dhe ka humbje të vezëve; një kohë e njohur kjo si perimenopauza.

Nuk ka një moshë fikse se kur fertiliteti fillon të marrë tatëpjetën, por shumë mjekë specialistë konstatojnë se shpesh bëhet gjithnjë e më e vështirë për të mbetur shtatzënë pas moshës 35 vjeçe. Kjo moshë është e ndryshme për çdo grua, edhe pse, disa mund të kalojnë nëpër perimenopauza më parë, ndërsa të tjerat vazhdojnë të jenë pjellore edhe afër të 40-ve. Kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme për gratë e çdo moshe, të cilat kanë hasur vështirësi të mbesin shtatzëna, të këshillohen sa më parë me një specialist.

Historia familjare
Nëse nëna juaj ka hyrë herët në menopauzë, atëherë do hyni edhe ju. Femrat lindin me një sasi të caktuar të vezëve dhe ka disa faktorë gjenetik që mund t'i bëjnë të lindin me më pak ose më shumë vezë se zakonisht. Por, kjo nuk do të thotë që përfundimisht jeni të destinuara të keni të njëjtin skenar për jetën tuaj. Ekzistojnë faktorë të jashtëm që jo domosdoshmërisht ndikojnë tek ju sot, të cilët mund të kenë ndikuar dikur tek nëna juaj.

Kimikatet në produktet e pastrimit
Ekspozimi ndaj ndotësve, pesticideve dhe përbërësve industriale mund të ulë aftësinë e çiftit për të pasur fëmijë deri në 29%, sipas një studimi të publikuar në 2013. Përveç kësaj, një studim i vitit 2015 i Universitetit të Washington ka arritur në përfundimin se 15 kimikate të gjetura në produktet e pastrimit ishin të lidhura me menopauzën e hershme. Këto kimikate përfshijnë nëntë PVBs (të cilat janë të ndaluara që nga viti 1979, por ende ekzistojnë në produktet e vjetra), tre lloje pesticidesh, dy forma të plastikës që shpesh gjenden në produktet kozmetike; si parfume, manikyrë, toksina etj.

Duhanpirja
Pirja e duhanit mund të dëmtojë fetusin në zhvillim, por mund të ndikojë në mënyrë drastike për të mbetur shtatzënë. Pirja e duhanit shkakton deri në 13% të të gjitha rasteve të infertilitetit, sipas specialistëve. Tymi i cigares dëmton hormonet dhe ADN-në e të dyve; edhe femrën edhe mashkullin. Madje jo domosdoshmërisht të jenë duhanpirës aktivë. Sipas specialistëve edhe gratë që janë të ekspozuara ndaj tymit të duhanit (pasivë), vuajnë dëmtimin e funksionit endokrin dhe mund të hasin probleme në fertilitet.

Alkooli
Edhe pse nuk është vërtetuar se disa gota në javë, do të ndikojnë në ferilitetin tuaj; mjekët shtojnë se duhet patur kujdes nga alkooli, pasi kjo çon në një rritje të rrezikut për çrregullime të ovulacionit. Sipas një studimi të fundit në Suedi u zbulua se më shumë se 7,000 gra, që për 18 vjet kishin konsumuar rregullisht alkool, i ishin nënshtruar trajtimit me IVF. Ju tashmë e dini, që duhet të ndaloni të pini nëse mendoni se mund të jeni shtatzënë. Konsumimi i alkoolit gjatë fazave të hershme të shtatzënisë (dhe ndoshta edhe para konceptimit) çon jo rrallë herë në lindje të parakohshme.

Aktiviteti fizik i sforcuar
Aktiviteti fizik ju ndihmon që trupi juaj të jetë më i bukur, më i fortë dhe me më shumë energji; të gjitha shumë të rëndësishme kur po mendoni që të ngeleni shtatzënë. Por sipas mjekëve nëse ju jeni duke u ushtruar shumë, kjo mund të ndikojë negativisht në ovulim. Kjo nuk është vetëm një çështje që prek atletët. Sipas një studimi në 2012, është konstatuar se gratë me një peshë normale që ushtrohen rregullisht për më shumë se pesë orë në javë, hasnin vështirësi për të mbetur shtatzënë. Shenja më e qartë e një problemi të mundshëm është një çrregullim në ciklin menstrual. Në këtë moment ju duhet të këshilloheni me mjekun gjinekolog.

Metodat kontraceptive
Sapo të ndaloni së përdoruri kontraceptivë, ju mund të ngeleni shtatzënë brenda një muaji, sqarojnë specialistët. Nëse doni të mbeteni shtatzënë sa më parë, mjekët rekomandojnë shmangien e metodave kontraceptive muaj përpara, në mënyrë që kjo të mos ndikojë në fertilitetin tuaj.

Tiroidet
Një studim i këtij viti mbështet teorinë se çrregullime të tiroidës mund të ndikojnë në ovulacion, si dhe të shkaktojnë probleme në shtatzëni; dhe mbështet se femrat që kanë probleme për të ngelur shtatzëna të kryejnë përpara testin e tiroideve. Sipas mjekëve pacientet që vuajnë nga tiroidet kanë simptoma të dukshme; por, ato ende nuk e dinë apo s'janë diagnostikuar me sëmundje të tiroideve mund të kenë vështirësi në ovulacion.

Kafeina
Nëse ju jeni të varur nga kafeina, ju mund të hasni vështirësi për të ngelur shtatzënë. Sipas një studimi, kafeina kontrakton muskujt që ndihmojnë vezët të shkëputen nga vezoret dhe përmes tubave fallopiane të kalojnë në barkun e nënës. Ndërsa një tjetër studim ka zbuluar se duke pirë pesë ose më shumë kafe në ditë, mund të përgjysmojë mundësinë për një grua që të mbetet shtazënë. Studime të tjera vërtetojnë se kafeina nuk luan asnjë rol në fertilitet. Sido që të jetë, ja vlen të konsideroni të gjithë faktet dhe të ulni sasinë e kafeinës që konsumoni gjatë ditës.

Aktiviteti seksual
Infeksionet seksualisht të transmetueshme; si klamidia dhe gonorrea mund të shkaktojnë sëmundje dhe të shfaqin probleme në fertilitet. Në fakt, klamidia mund të dëmtojë tubat fallopiane pa shfaqur simptoma të dukshme dhe e kuptojnë këtë vetëm pasi të kenë hasur vështirësi për të mbetur shtatzënë.

Stresi
Femrat me nivele më të larta të enzimës që lidhet me stresin, kanë vështirësi për të mbetur shtatzënë. Mjekët shprehen se ky studim nuk vërteton se vetëm stresi është përgjegjës për problemet e fertilitetit, por ata sugjerojnë që gratë që planifikojnë të kenë një fëmijë, duhet të largojnë stresin dhe të kërkojnë ndihmë nëse po e përjetojnë atë.

Stresi ndikon në nivelet hormonale dhe të ovulacionit. Në doza të larta jep një impakt negativ për shëndetin tuaj dhe trupin tuaj.

SHKARKO APP