Farat e domates më të mira se aspirina

Disa studime klinike, kanë zbuluar se farat e domates përmbajnë një xhel natyral i cili përmirëson qarkullimin e gjakut dhe parandalon mpiksjen e tij. Kjo substancë që nuk ka as ngjyrë dhe as shije mund të shtohet edhe në ushqime të tjera pa ndryshuar  karakteristikat e tyre. Xheli natyral i farave të domateve është tashmë në përdorim në disa pije dhe lëngje frutash dhe pritet të përdoret edhe në ushqime të tjera. Substanca ka marrë aprovimin e autoriteteve evropiane të shëndetit sipas të cilëve ajo përbën një alternativë më të shëndetshme të aspirinës kundër mpiksjes së gjakut.

Mjekët kardiologë shpesh u rekomandojnë pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare të marrin një aspirinë në ditë. Ky medikament është i njohur për përmirësimin e qarkullimin dhe parandalimin e mpiksjes së gjakut. Megjithatë aspirina ka një efekt anësor të dëmshëm. Pas një periudhe të caktuar, ajo dëmton stomakun dhe nxit formimin e ulçerës. Sipas informacioneve , farat e domates kanë të njëjtin ndikim në qarkullimin e gjakut por pa efekte anësore.

Përmirësimet që ofrojnë farat e domates vërehen që tre orë pas tretjes. Zbulimi i rolit të farave të domates dhe xhelit që ato përmbajnë u krye nga Instituti Rowett. Ky institut ka analizuar gjithashtu edhe ndikimin pozitiv të regjimit mesdhetar të ushqyerjes. Disa prej bazave të këtij regjimi ushqimor që është shumë i mirë për zemrën janë: vitamina C, acidet yndyrore Omega-3, yndyrnat e shëndetshme dhe antioksidantët.

Vlera të tjera të farave të domates

Farat e domates përmbajnë një sërë mineralesh dhe vitaminash të dobishme në trajtimin e disa sëmundjeve. Ato janë të dobishme për uljen e kolesterolit sepse përmbajnë shumë fibër. Farat e domateve ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut në mënyrë efikase. Ndërkohë, antioksidantët luftojnë radikalet e lira që nxisin inflamacionin.

Me konsumin e farave të domateve, imuniteti përmirësohet ndjeshëm dhe bëhet më pak i brishtë ndaj infeksioneve dhe virozave. Sipas të dhënave, farat e domates janë të pasura me vitaminë K dhe kalçium. Rrjedhimisht ato rekomandohen për përmirësimin e dendësisë kockore. Një tjetër përfitim që vjen nga farat e domates është përmirësimi i shikimit dhe shëndetit të syve. Kjo ndodh sepse farat e domates janë një burim i shkëlqyer i vitaminës A.

SHKARKO APP