Gjirokastër, 19 kabinete të kontrollit bazë mjekësor pa pagesë 40-65 vjeç
Qytetarët e Gjirokastrës do të përfitojnë shërbimin falas të kontrollit bazë shëndetësor për grupmoshat 40-65 vjeç që ofrohet tashmë në 22 kabinete të qendrave shëndetësore të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor të këtij rrethi. Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Zëvendësministri, z. Klodian Rjepaj, zhvilluan sot (08/05/2015) në një nga qendrat shëndetësore të qytetit të Gjirokastrës me drejtues, mjekë e punonjës të këtij institucioni.
Ministri Beqaj ka ripërsëritur nga qyteti i gurtë thirrjen drejtuar qytetarëve të grupmoshës 40-65 vjeç që të mos ngurrojnë për të kryer kontrollin shëndetësor bazë, si një masë e rëndësishme për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve, pasi tashmë çdo person rezident në Shqipëri, i siguruar apo jo, mund të kryej falas check-up-in shëndetësor.
“Ne i ftojmë qytetarët të marrin pjesë në këtë program, i cili është pa pagesë,” – tha ministri për gazetarët e pranishëm në takim, duke shtuar se “pjesëmarrja do të na lehtësojë për të përmirësuar shëndetin e qytetarëve, për të parandaluar sëmundjet e ndryshme, kryesisht ato kardiovaskulare apo tumorale.”
Ky program i’u ofrohet të gjithë qytetarëve shqiptarë të kësaj grupmoshe, u shpreh kreu i shëndetësisë, duke theksuar se “nuk ka dallim nëse je apo nuk je i regjistruar, kush është rezident në Shqipëri është i ftuar të bëhet pjesë e këtij programi.”
Për zbatimin e programit të diagnostikimit të popullatës në rrethin e Gjirokastrës, janë vënë tashmë në funksionim të plotë 19 kabinete, të pajisura me mjetet dhe pajisjet e nevojshme për këtë lloj shërbimi, si dhe me stafin e kualifikuar pas një cikli të plotë trajnimesh për këtë qëllim. Ministri Beqaj pas vizitës në qytetin e Gjirokastrës, është ndalur në Libohovë ku ka parë nga afër kushtet dhe funksionimin e dy kabineteve të kotrollit bazë shëndetësor edhe në qendrën shëndetësore të kësaj qyteze.
Gjithashtu, në përmbyllje të vizitës në rrethin e Gjirokastrës, kreu i shëndetësisë, është ndalur për një takim me gazetarët dhe autoritetet vendore në kalanë e qytetit të gurtë të Gjirokastrës, për të inspektuar nga afër zbatimin e planit të posaçëm të masave për funksionimin e shërbimit shëndetësor në funksion të mbarëvajtjes së festivalit folklorik “Argjiro Fest_ON 2015”, që do të zhvillohet në datat 10-16 maj në këtë qytet.