Hapet qendra e parë evropiane kundër kancerit

Një strukture e re e quajtur Qendra e Imuno-Onkologjisë (CIO), e cila i kushtohet tërësisht kurimit të tumoreve me anë të imunoterapisë, u prezantua të premten gjatë një ceremonie të zhvilluar në qytetin Siena të Italisë.

Imunoterapia është një qasje e re trajtimi mjekësor, që synon të rizgjojë sistemin imunitar për të luftuar kancerin.

CIO-ja zë një sipërfaqe rreth 1.250 m2 dhe është qendra e parë e këtij lloji në Evropë.

“Qëllimi i kësaj qendre është bashkimi i kërkuesve paraklinikë dhe klinikë në një realitet të vetëm operativ për t’u dhënë jetë strategjive të reja në luftën kundër kancerit”, tha drejtori i CIO-s, Michele Maio.

Parashikohet që vetëm në vitin 2017 të paraqiten pranë kësaj qendre rreth 3.000 pacientë të rinj, 75% e të cilëve, nën terapi, do të përfshihen në studime klinike.

Aktualisht janë në proces pranë kësaj qendre 40 eksperimente të imunoterapisë kundër llojeve të ndryshme të tumoreve (në fazat I dhe II).

Qendra e Imunoterapisë Onkologjike u prezantua në kuadër të Kongresit XV Ndërkombëtar të Rrjetit Italian për Bioterapinë e Tumoreve (NIBIT), i cili zhvillohet deri më 7 tetor në Siena, me pjesëmarrjen e ekspertëve më të njohur botërorë në fushën e imunoterapisë kundër kancerit.

SHKARKO APP