HIV/AIDS, më shumë burra të infektuar sesa gra
1 Dhjetori njihet ndryshe si Dita Botërore kundër HIV–AIDS (SIDA). Olimbi Hoxhaj, drejtore ekzekutive e shoqatës së personave me HIV/AIDS, thotë se ka më shumë burra sesa gra të infektuar me këtë sëmundje. Për të raporti është 3/1. Nga 80 raste të diagnostikuar këtë vit, 61 ishin djem dhe burra, ndërsa 19 vajza dhe gra.
“Kemi dhe dy raste te fëmijët, te grupmosha nën 14 vjeç. Kemi një rast të transmetimit vertikal që është transmetuar nga nëna dhe një rast tjetër që akoma është në investigim dhe nuk ka dalë raporti përfundimtar se ku ka ndodhur infektimi pasi prindërit janë negativ”.
HIV-AIDS mbetet një nga sfidat e shekullit, jo vetëm në Shqipëri, por për në mbarë botën ndonëse shëndetësia dhe shkenca kanë përparuar dhe personat e infektuar mund të jetojnë gjatë dhe të bëjnë një jetë normale.