Ja ushqimet më të mira për në verë
Edhe për stinën e verës, ekspertët e dietave kanë klasifikuar disa ushqime, që janë më të mira sa i përket hidratimit dhe mbajtjes së mirë të formës trupore. Ja se cilat janë ato.
Mbajtja e ekuilibrit të duhur përsa i përket hidratimit është gjithmonë e rëndësishme, por kjo çështje bëhet shumë më e vështirë në sezonin e nxehtë. Ndjesia e fryrjes dhe problemet e mbajtjes së ujit janë vazhdimisht pas “shpine”.
Po çfarë duhet të bëni?
Zgjidhja më e mirë është që t’i nënshtroheni një aktiviteti të rregullt fizik dhe të ndiqni një ushqyerje të pasur me ushqime diuretike dhe pastruese. Frutat dhe perimet absolutisht nuk duhet të mungojnë, por thelbësore është që të zgjidhni me vëmendje edhe llojet e ushqimeve, duke preferuar ato që favorizojnë diuresinë (mosmbajtjen e ujit në organizëm). Nëse dëshironi të dini diçka më shumë atëherë, ja disa këshilla për ushqimet më të mira gjatë verës.
Koperi
Për të parandaluar problemin e mbajtjes së ujit, shumë i zakonshëm në verë, mjafton të zgjidhni ushqimet e duhura. Koperi është një prej tyre, sepse është i pasur me fibra që eliminojnë toksinat. Është i mirë edhe për përgatitjen në shtëpi të një çaji me efekt kullues (nxjerrjen jashtë organizmit të ujit të tepërt e jo të shëndetshëm).
Shalqiri
Shalqiri mund të thuhet se mban vendin e parë në kategorinë e frutave me efekt kullues, sepse përmban rreth 90% ujë, i cili së bashku me praninë e potasit, rrit më shumë veprimin e këtij efekti.
Ananasi
Ashtu si shalqiri, edhe ananasi është i pasur me ujë, ndërsa renditet ndër ushqimet që djegin yndyrat, sepse tretja e tij përcakton një harxhim më të madh të kalorive të gjendura në këtë frutë. Ndër të tjera, konsumimi i tij këshillohet edhe për një ushqyerje kundër të nxehtit.
Çaji gjelbër
Çaji i gjelbër ka mjaft cilësi të mira pastruese, por është e këshillueshme që atë ta pini me stomakun bosh për të rritur efektet.
Molla
Në dietën kulluese nuk kanë se si të mungojnë mollët, të duhura për detoksifikimin e organizmit. Mollët ndihmojnë në eliminimin e mbeturinave në trup, ndërsa parandalojnë futjen në organizëm të substancave të dëmshme të ambientit: merita i takon pektinës, substancës e cila gjendet në to.