Kafja dhe duhani esull, rrezik serioz për shëndetin
Si kafja ashtu edhe duhani veprojnë si stimulues, të cilët njeriut shumë shpejt ia rregullojnë disponimin dhe e bëjnë atë të kthjellet dhe të jetë i gatshëm për aksionin ditor.
Për më tepër, kafja për shumicën e njerëzve në periudhë afatgjatë është përgjithësisht e shëndetshme. Megjithatë, studimet shkencore tregojnë se ky nuk është kombinimi i preferuar i mëngjesit. Dihet se duhani është përplot substanca kancerogjene, por disa studime të kohëve të fundit kanë treguar se cigarja e ndezur në mëngjes herët është dukshëm më e pashëndetshme se të gjitha cigaret e mëvonshme.
"Kemi zbuluar se duhanpirësit që pinë duhan menjëherë pasi të zgjohen kishin nivele më të larta të NNAL-it kancerogjen në gjak në krahasim me duhanpirësit të cilët e kishin shtyrë cigaren e parë për gjysmë ore apo më shumë, dhe atë pavarësisht se sa cigare i kishin pirë më vonë gjatë ditës," tha Steven Brensteter nga universiteti shtetëror i Pennsylvanisë, udhëheqësi i studimit të kryer në vitin 2013, në mostrat e 2.000 duhanpirësve të rritur.
Pirja e kafesë në stomak të zbrazët herët në mëngjes stimulon sekretimin e acidit klorhidrik në sistemin e tretjes, transmeton Koha.net. Kjo mund të jetë veçanërisht problematike për njerëzit që vuajnë nga ulcera dhe gastriti.
Kafja gjithashtu mund të shkaktojë iritim të zorrës së hollë dhe të çojë në spazma, dhimbje dhe sindromin e zorrës irritabile, e cila në vitet e fundit diagnostikohet gjithnjë e më shumë. Gjithë këtë kafja do ta shkaktojë më fortë nëse e pimë në stomak të zbrazët.
Ekipi grek i shkencëtarëve nga Shkolla Mjekësore në Athinë ka zbuluar se duhani, kur konsumohen në të njëjtën kohë me kafenë, shkakton ngurtësim më të madh arterial se kur konsumohen veç e veç, në kohë të ndryshme. Ngurtësimi arterial pengon qarkullimin e gjakut dhe vepron keq në shëndetin e zemrës.