Kërcënim global, shfaqet në spitalet amerikane kërpudha vrasëse
“Candida auris”, e zbuluar në 2009-ën ne veshin e një të moshuari japonez, po përhap panik nëpër spitalet e New York-ut për rrezikun e saj potencialisht vdekjeprurës.
44 raste të prekjes nga ky patogjen janë regjistruar deri tani atje dhe në New Xhersi.
Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve e cilëson super-kërpudhën si një kërcënim global ndaj shëndetit.
17 jetë të humbura gjatë muajve të fundit në New York i faturohen pikërisht infeksionit kërpudhor, edhe pse mjekët specialistë nuk e kanë bërë dot zyrtarisht lidhjen mes këtyre vdekjeve dhe candida auris, për shkak se pacientet kishin dhe sëmundje të tjera para ekzistuese.
Por, dyshimet bien që të gjitha mbi kërpudhën rezistence ndaj ilaçeve, e cila po përhapet rrezikshëm në mbarë botën. Ajo mund të infektojë plagët, veshët dhe gjakun.
Në rastin më të keq, siç është ai i personave që kanë ndërruar jetë, sjell infeksione sistemike.
Shenjat e para janë ndjesia e zjarrmisë dhe vështirësi në gëlltitje. Patogjeni mund të shkaktojë dhe “sepsis”, një sëmundje e rrallë, por që përbën kërcënim të madh ndaj jetës për shkak të infeksionit të gjakut.
Candida auris godet më së shumti personat më të dobët si të porsalindurit apo të moshuarit dhe përhapet më shumë lehtësi; Mediat e huaja thonë se ajo u diktua në pajisjet spitalore dhe në lëkurën e disa pacientëve të trajtuar ndërkohë me mjekime kundër mykut.