Këshilla që duhet të dini për një lëkurë të shëndetshme
Mjekja Dematologe, Albana Lufi rekomandon kurat praktike më të mirë për të pasur një lëkurë të shëndetshme
Mjekja dematologe, Albana Lufi rekomandon kurat praktike më të mira për të pasur një lëkurë të shëndetshme. Për “Koha Jonë” mjekja që punon në klinikën Dermatologjike dhe Estetike Dermovita, këshillon dhe për problemet kryesore me lëkurën dhe mënyrën sesi mund të zgjidhen ato.
Cilat janë rregullat bazë për të pasur një lëkurë të shëndetshme?
Lëkura është pasqyrë e shëndetit dhe ushqimi i mirë, fjetja e mjaftueshme, reduktimi i stresit, hidratimi i vazhdueshëm i lëkurës, mbrojtja e lëkurës nga rrezatimi diellor janë faktorë që ndihmojnë për një lëkurë të shëndetshme. Eliminimi i qelizave të vdekura i dhuron lëkurës një ngjyrë të bukur dhe mbi të gjitha i lehtëson ajrosjen. Për të patur një lëkurë sa më të shëndetshme duhet të kujdesemi vazhdimisht për të. Të gjithë duhet të jemi të mirëinformuar lidhur me mënyrën se si duhet ta mirëmbajmë lëkurën.
Jo gjithmonë është e lehtë të përcaktosh tipin e lëkurës nëse ajo është e yndyrshme, mikse apo e thatë sepse fiziologjia e lëkurës së fytyrës ndryshon me kalimin e kohës. Nuk mund të kemi të njëjtin tip lëkurë përherë. Këtë gjë e kemi hasur shpeshherë dhe në praktikën e përditshme, ku persona të ndryshëm kryesisht femra ankohen për ndryshimet që ka pësuar lëkura e tyre, duke u shndërruar nga një lëkurë e thatë në lëkurë të yndyrshme ose anasjelltas. Ndonjëherë në të njëjtën fytyrë ne hasin zona me lëkurë të yndyrshme dhe zona me lëkurë të thatë. Pra flasim për një gjendje të caktuar të lëkurës në një moment të caktuar. Janë këto ndryshime që e bëjnë të vështirë zgjedhjen e produkteve kozmetike.
Cilët janë faktorët që ndikojnë në ndryshimet që pëson lëkura?
Mosha, mjedisi, temperatura, nxehtësia, duhani, ndotja, hormonet seksuale janë faktorë që luajnë rol në ndryshimet që pëson lëkura.
Si të kujdesemi për çdo tip lëkure?
Lëkura normale duhet të hidratohet çdo ditë, të mbrohet nga papastërtitë dhe nga dielli. Pra pastroni fytyrën në mëngjes dhe darkë (mos flini kurrë pa hequr makiazhin) dhe vini një krem hidratant të lehtë. Lëkura e thatë është lëkura që haset më shpesh dhe që ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm.
Përse haset më shpesh lëkura e thatë?
Disa arsye përse kemi lëkurë të thatë janë: Nga mungesa e ujit në lëkurë, si pasojë e veprimit të faktorëve të jashtëm si nxehtësia, i ftohti, larjet e fytyrës me sapun, kontaktet e përsëritura me ujin; nga pakësimi i sekretimit të yndyrës; lëkura mund të jetë e thatë gjenetikisht si në disa sëmundje (ekzema atopike, Iktiosis);i ftohti, kontaktet e përsëritura me ujërat gëlqerorë, zgjedhja jo e saktë e produkteve kozmetike e rëndojnë këtë tharje të lëkurës.
Për tu kujdesur për lëkurën e thatë duhet të evitoni larjet me sapun agresiv dhe përdorimin e solucioneve me alkool. Të lahet fytyra me qumësht pastrues (late detergente) për heqjen e makiazhit, shpëlani qumështin me ujë, përdorni dy herë në ditë një krem hidratant.
Ndërsa lëkura mikse paraqet problem në zgjedhjen e preparateve kozmetike.
Ndërsa lëkurat e yndyrshme janë mjaft të prirura për të formuar akne (puçra) dhe pika të zeza. Format e paraqitjes së akneve varjojnë nga format e lehta (grada e parë), format e mesme (grada e dytë) dhe format e rënda. Kjo lëkurë plaket më ngadalë dhe e toleron më mirë diellin. Por dhe lëkurat e yndyrshme mund të jenë të dehidratuara (që kanë mungesa uji). Kujdesi për lëkurën e yndyrshme: Të evitohen toniket me alkool, kremrat shumë të yndyrshme, kremrat pudër sepse shtojnë pikat e zeza; të pastrohet lëkura me sapun të butë dhe locion për lëkura të yndyrshme; të përdoren maska për lëkura të yndyrshme dy ose tre herë në javë.
Lëkurat e dehidratuara (lëkura që kanë mungesa uji). Të gjitha tipet e lëkurës, të thata ose të yndyrshme mund të jenë për momentin të dehidratuara. Lëkura e dehidratuar është e përkohshme. Dielli, era, i ftohti, një periudhë lodhjeje ose stresi, trajtimet shumë agresive janë shkaqe të një lëkurë të dehidratuar. Lëkura e dehidratuar duhet të rihidratohet shpejt me produkte të përshtatshme që sjellin ujin nga njëra anë dhe pengojnë largimin e ujit nga ana tjetër. Uji është një element jetësor jo vetëm për lëkuren por dhe për gjithë organizmin. Lëkura përmban 70% ujë, 10-18% të të gjithë sasisë që gjendet në trupin e njeriut, pra lëkura luan rolin e rezervuarit e aftë të depozitojë ose të çlirojë sasi të ndryshme uji në varësi të nevojave të ujit . Kur qelizat e lëkurës nuk janë plotësisht të hidratuara ato nuk mund të funksionojnë mirë dhe shkaktojnë dëmtime të indeve, dhe plakje të lëkurës. Hidratimi është mjaft i rëndësishëm për të patur një lëkurë të shëndetshme.
Çfarë kujdesi duhet të kenë personat që kanë lëkura të ndjeshme ose delikate?
Përdorni produkte për lëkura delikate, locion pastrues pa shpëlarje ose sprajt me ujëra termale, kremra hidratant të lehtë. Thani mirë fytyrën duke e tamponuar mirë me një shami letre dhe jo me pambuk. Në ambientet e punës me ajër të kondicionuar, ose në ambiente të nxehta rekomandohet përdorimi i kremrave hidratante disa herë në ditë. Në qoftë se përdorimi i një produkti shkakton skuqje ose pickim, ndërpriteni menjëherë. Për të patur një lëkurë të shëndetshme duhet të mbrohen të gjitha tipet e lëkurës nga ndryshimet e temperaturave, era dhe nga dielli. Kremrat kundër diellit rekomandohen të përdoren gjatë gjithë vitit por në periudhën mars deri në fund të shtatorit duhen përdorur kremra me filtër mbrojtës të lartë 30 ose 50 SPF. 30 minuta para ekspozimit në diell dhe të përsëritet përdorimi i kremit çdo tre orë.
Kufizoni në maksimum përdorimin e alkoolit dhe të duhanit. Pini të paktën tetë gota me ujë çdo ditë dhe hidratoni vazhdimisht lëkurën.
Si mund t’i përzgjedhim kremrat që i nevojiten lëkurës?
Tregu kozmetik është mbushur me mjaft produkte të firmave ose markave të ndryshme që me paketimin e tyre elegant ose me reklamat e tyre, të cilat i ndeshim kudo në TV, internet, revista dhe gazeta na joshin për blerjen e tyre.
Shpesh herë lind pyetja vërtet blejmë produkte të ndryshme kozmetike, por a janë të përshtatshme këto produkte për fytyrën ? Në vend që të provoni këto produkte, pa ndonjë rezultat të dukshëm është më mirë të kërkoni këshillën e një dermatologu i cili do t'ju orientojë për të marrë atë produkt për të cilën ka nevojë lëkura juaj. Përpara përzgjedhjes së produktit mjeku dermatolog duhet të bëjë testimin e plotë të lëkurës. Pas kryerjes së testimit të lëkurës mjeku iu jep informacion të detajuar për gjendjen e lëkurës kryesisht për shkallën e hidratimit, të yndyrës, ph, lasticitetit, por dhe për produktet e nevojshme për lëkurën tuaj.