Kirurgjia e kancerit të mushkërive mund të jetë e sigurt për mbi 80-vjeçarët
Mjekët nuk duhet ta përjashtojnë automatikisht ndërhyrjen kirurgjikale për 80-vjeçarët me kancer të mushkërive në fazë të hershme, sipas një studimi të ri që sfidon supozimet e hershme në lidhje me moshën dhe trajtimin e kancerit dhe mund të ndikojë në udhëzimet e ardhshme, sipas “The Guardian”.
”Në disa raste, njerëzit mbi moshën 80 vjeç mund t’i nënshtrohen në mënyrë të sigurt ndërhyrjes kirurgjikale potencialisht kuruese për këto tumore dhe të arrijnë rezultate të krahasueshme me ato tek pacientët më të rinj”, raportuan studiuesit në “The Lancet Regional Health Americas”.
“Ndërsa popullsia jonë plaket, më shumë pacientë mbi 80 vjeç po diagnostikohen me kancer të mushkërive në fazë të hershme, megjithatë ata shpesh nuk merren në konsideratë për ndërhyrje kirurgjikale”, tha në një deklaratë udhëheqësja e studimit Raja Flores e Shkollës së Mjekësisë ”Icahn” në Mount Sinai në Nju Jork.
“Zbulimet tona tregojnë se kur pacientët zgjidhen me kujdes bazuar në shëndetin e tyre të përgjithshëm, jo vetëm në moshën e tyre, ata mund ta tolerojnë mirë ndërhyrjen kirurgjikale dhe të përjetojnë rezultate të shkëlqyera afatgjata”, shtoi ajo.
Studimi ndoqi 884 pacientë që iu nënshtruan një ndërhyrjeje kirurgjikale për kancer të mushkërive në fazë të hershme, përfshirë disa që ishin të paktën 80 vjeç.
Pesë vjet më vonë, shkalla e mbijetesës midis 114 pacientëve më të vjetër të moshës 81 deri në 85 vjeç ishte 84,2%, statistikisht e ngjashme me shkallën e mbijetesës prej 87,3% midis pacientëve më të rinj.
”Ndërsa disa nga pacientët më të vjetër kishin më shumë ndërlikime postoperative, shumica e pacientëve në të dy grupet ndiheshin më mirë me kalimin e kohës dhe cilësia e jetës së tyre u përmirësua brenda një viti”, raportuan studiuesit.
“Ne duhet të sigurohemi që trajtimet efektive të jenë të disponueshme për të gjithë ata që mund të përfitojnë prej tyre. Të moshuarit shpesh lihen jashtë vendimeve klinike, por gjetjet tona tregojnë se ata duhet të kenë akses të barabartë në kujdes që mund të përmirësojë mbijetesën dhe cilësinë e jetës”, theksuan ata.ATSH
KOHA JONË SONDAZH

