Koronarografia, tani do kryhet dhe gjatë natës në QSUT
Të sëmurët kardiakë që përballen me infarkt akut në orët e natës tanimë mund të bëjnë koronarografi apo ekzaminime të tjera të detajuara në shërbimin e hemodinamikës në QSUT.
Deri para 5 muajsh nëse paraqiteshe me urgjencë të problemeve kardiake pas orës 16.00 kur përfundon orari zyrtar i punës, për këto ekzaminime duhet të drejtoheshe në spitalet private.
“Ka përfituar një numër i rëndësishëm të sëmurësh, rreth 400 veta, nga të cilat rreth 200 e ca janë realizuar gjatë natës”, thotë prof Dr. Artan Goda.
Mesatarisht gjatë natës bëhen 3-6 ekzaminime të tilla por me raste edhe ndërhyrje kirurgjikale fale konsolidimit të shërbimit të kardiologjise në QSUT.
“Bëhet e mundur në sajë të rritjes në kapacitete të burimeve njerëzore, pra me hemodinamistë, me infermierë me teknik imazherie”, tha drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu.
Ministri i Shëndetësise Ilir Beqaj vizitoi në orët e vona shërbimin e hemodinamikës për të pare funksionimin e zgjatjes së orarit në këtë shërbim.
“Pra, që nga 1 nëntori 2015 ky shërbim në shtatë ditë të javës, në 24 orë ofrohet në Shqipëri për herë të parë. Shmang fatalitetet, i heqim barrë financiare familjeve që ishin të detyruar në pamundësi ta merrnin këtë shërbim më parë pranë institucioneve publike”, tha Ilir Beqaj.
11 spitale rajonale në vend dhe 4 poliklinika në Tiranë janë pajisur me kabinete të kardiologjisë për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve falas.