Kujdes! Produktet e pastrimit janë të rrezikshme
Një studim norvegjez ka dalë në përfundimin se njerëzit që përdorin produktet shtëpiake të pastrimit janë më të rrezikuar të preken nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike, që përfshin sëmundje kronike si bronkitin dhe emfizemën.
Gjatë studimit u analizuan të dhënat e 5 mijë femrave për një periudhë 20 vjeçare. Nga analizimi i të dhënave u arrit në konkluzionin se pastrueset kishin 17% më shumë rënie të funksionit të mushkërive krahasuar me të tjerët.
Ndërsa ato që merren vetëm me pastrimin e shtëpisë së tyre kishin 14% rënie të funksionit të mushkërive. Kjo mendohet se ndodh pasi pastrimi i ekspozon njerëzit ndaj agjentëve kimikë si amoniaku, që irriton rrugët e frymëmarrjes, dhe substanca të tjera që mund të shkaktojnë alergji.
Oistein Svanes, autori kryesor i studimit nga Universiteti Bergen, thotë se njerëzit duhet të tregohen më të kujdesshëm në lidhje me produktet që përdorin për pastrimin e ambienteve.
Sëmundja pulmonare obstruktive kronike dëmton muret e qeskave të vogla të ajrit në mushkëri (emfizema) ose shkakton bronkit kronik.
Ekspertët bëjnë thirrje që t’i kontrolloni me kujdes udhëzimet e përdorimit tek produktet e pastrimit dhe të shmangni ato që vënë në rrezik shëndetin tuaj. Është mirë gjithashtu që të mos përdorni produkte me spërkatje dhe t’i hapni dyert dhe dritaret gjatë pastrimit, për të ajrosur ambientin.
Burimi: Daily Mail