Kur ngatërrohet diagnoza e tumoreve të rralla me kolitin
Sëmundje të ndryshme mund të shoqërohen me simptoma të ngjashme, çka vështirëson identifikimin në kohë të sëmundjes së vërtetë për vite të tëra me radhë, deri në shfaqjen e shenjave të tjera më të dukshme. Një gjë e tillë ndodh edhe me sëmundje që cilësohen si të rralla, siç janë tumoret endokrine. Shembujt nga mjekësia deri tani kanë treguar se shpesh herë pacientët trajtohen për sëmundje të tjera, si koliti apo sindroma e zorrës së irrituar, teksa në të vërtetë sëmundja ka të bëjë me tumoret e rralla, që njihen si tumoret neuro-endokrine.
Pse duhet vëmendje ndaj tumoreve neuro-endokrine?
Mjaft njerëz përjetojnë rregullisht diarre të shpeshtë, dhimbje shqetësuese barku apo sikletin e afsheve (skuqje e fytyrës dhe e qafës). Pasi janë vizituar në shume mjekë, mund të diagnostikohen me një gjendje gastrointestinale të tillë si koliti, apo sindroma i zorrës së irrituar. Por, në fakt për 5 nga 100 mijë persona të tillë çdo vit, këto simptoma shkaktohen nga një tip i rrallë kanceri që quhen “Tumore Neuro Endokrine (NET). Këto tumore shfaqen kryesisht në pankreas, traktin gastrointestinal dhe mushkëri. Në varësi të vendit ku shfaqen, përcaktohen edhe simptomat që e shoqërojnë, si dhe trajtimi që duhet ndjekur. Zakonisht këto tumore keqdiagnostikohen për vite të tera. Kjo nga fakti që tumoret neuro-Endokrine janë të rralla, dhe shumë pacientë mund të vijnë vërdallë për gati 5 deri 7 vjet derisa t’u vendoset diagnoza e saktë. Për t’i zbuluar në kohë këto tumore duhet rritur ndërgjegjësimi ndaj kësaj sëmundje, nëpërmjet avancimit të njohurive për diagnostikimin e hershëm pasi përgjithësisht pacientët diagnostikohen në faza mjaft të avancuara kur kanceri është përhapur dhe trajtimi i tij është më i vështirë (për gati 60 për qind të tyre).
Por çfarë janë tumoret neuro-endokrine?
Tumoret Neuro-endokrine zhvillohen nga disa qeliza që prodhojnë dhe sekretojnë hormone apo substanca të ndryshme që në kushte normale rregullojnë funksione të ndryshme në organizëm. Në rastin e tumoreve neuro-endokrine, prodhimi i këtyre qelizave është i pakontrolluar duke shkaktuar prodhimin e tepërt të hormoneve të ndryshme. Si pasojë e lëshimit të shtuar të hormoneve prej qelizave tumorale, pacientët me tumore neuro-endokrine mund të përjetojnë simptoma të ndryshme. Ka shumë lloje tumoresh Neuro-endokrine, por shumica e tyre shfaqen në traktin gastrointestinal, pankreas dhe mushkëri. Me një përhapje prej 5 rastesh në 100 mijë banorë, tumoret neuro-endokrine janë relativisht sëmundje kanceroze jo të shpeshta. Megjithatë, përhapja e tumoreve neuro-endokrine është rritur në mënyre dramatike në këto 30 vitet e fundit.
Dhe si mund të diagnostikohen?
Nuk ka teste rutine për depistimin e tumoreve neuro-endokrine. Megjithatë disa teste si tomografia (CT), rezonanca magnetike (MRI), endoskopia dhe shintigrafia janë mjete që përdoren për diagnozën e tumoreve neuro-endokrine. Gjithashtu, në diagnozën e tumoreve neuro-endokrine, ndihmë jep edhe një lloj specifik test i gjakut apo urinës. Diagnoza e hershme bëhet e mundur nëpërmjet rritjes së njohurive shkencore të stafit shëndetësor që është i përfshirë në fushën e diagnozës. Pacientët me tumore neuro-endokrine menaxhohen nga një grup profesionistesh mjekësor si onkolog, endokrinolog, gastroenterolog, patolog, radiolog, kirurg, infermier dhe mjeke të familjes.