Kura të reja për pacientët me sëmundje të rëndë veshkash

Për pothuajse 100 mijë njerëz në Shtetet e Bashkuara gjetja e një donatori të përshtatshëm veshke është e vetmja shpresë e rikthimit në normalitet pa dializën e vështirë që pastron artificialisht gjakun disa herë në javë. Por çdo vit gjenden rreth 17 mijë veshka të shëndetshme dhe rreth 4 për qind e pacientëve në pritje të transplantimeve vdesin. Mjekët thonë se numri i veshkave në dispozicion mund të shtohet, por me disa rreziqe shtesë.

“Po u ofrojmë shansin për transplant, por gjithashtu po i mjekojmë për infeksione të reja që nuk kishin më parë. Ky është kompromisi,” thotë Dr. Peter Reese, Universiteti i Pensilvanisë.

Në një eksperiment të ri mes Universitetit të Pensilvanisë dhe Universiretit Johns Hopkins, mjekët po ofrojnë transplantim të veshkave nga donatorë të vdekur me hepatit C, një sëmundje virale që sulmon mëlçinë por lë veshkat të paprekura.

Pacientët që marrin veshka të tilla nuk kanë më nevojë për dializë por duhet të fillojnë të marrin ilaçe për trajtimin e hepatitit C. Ilaçet janë të kushtueshme dhe në disa raste të rralla mjekimi mund të dështojë.

Pas këshillimeve me mjekët mbi pasojat e procedurës, disa pacientë i pranuan rreziqet.. “Pa këtë studim nuk do të isha ku jam. Jam shumë mirënjohëse,” thotë Irma Hendricks, një prej pacientëve.

Koncepti u bë i mundshëm pas zbulimit të një ilaçi të ri më të efektshëm që premton kurimin e 95 për qind të pacientëve me hepatit C. Hulumtuesit thonë se nëse provat klinike dalin të suksesshme, qindra veshka të tjera mund të ofrohen për transplantim për t’u shpëtuar jetët pacientëve me sëmundje të pashërueshme veshkash.

Burimi: VOA

SHKARKO APP