Lëngu “magjik” që ul presionin e gjakut

Lëngu i panxharit ka një efekt të dobishëm te pacientët me sëmundje pulmonare obstruktive kronike, pasi duket se ul presionin e gjakut. Sipas rezultateve të hulumtimit të publikuara në Gazetën Evropiane të frymëmarrjes, një suplement dietik i përditshëm i bërë nga lëngu i panxharit, të cilin e kanë konsumuar për 12 javë njerëzit me sëmundje pulmonare obstruktive kronike, ka ndikuar pozitivisht tek ta duke ulur presionin e gjakut.

Po ashtu ka përmirësuar distancën që pacientët mund të përshkojnë, duke ecur gjashtë minuta më tepër. Sëmundja kronike obstruktive pulmonare (COPD) është një gjendje serioze e mushkërive që prek rreth 400 milionë njerëz në mbarë botën. Ajo shkakton vështirësi në frymëmarrje dhe kufizon rëndë aftësinë e njerëzve për të qenë fizikisht aktivë. Gjithashtu rrit rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru.

Hulumtimi, i kryer nga studiues në Imperial College London, shqyrtoi përfitimet e marrjes së një suplementi të koncentratit të lëngut të panxharit me nitrat të lartë (70 ml koncentrat lëngu me 400 mg nitrate). Deri më sot ka disa prova se lëngu i panxharit mund të përdoret nga atletët për të përmirësuar performancën e tyre, ndërsa disa studime afatshkurtra kanë zbuluar se nivelet më të larta të nitrateve në gjak mund të rrisin disponueshmërinë e oksidit nitrik, i cili ndihmon enët e gjakut të relaksohen.

Studimi i ri përfshiu 81 persona me sëmundje pulmonare obstruktive kronike, presioni i gjakut sistolik i të cilëve ishte më i madh se 130 mmHg. Prej tij u zbulua se ata që morën suplementin e pasur me nitrat përjetuan një ulje mesatare të presionit të gjakut sistolik prej 4.5 mmHg krahasuar me ata që morën placebo. Udhëheqësi i studimit, profesor Nicholas Hopkinson i konsideroi rezultatet “shumë premtuese, por do të duhet të konfirmohen në studime më të mëdha dhe afatgjata”.

SHKARKO APP