Leximi para gjumit në kompjuter dëmton shëndetin
Më mirë një libër, sesa të punohet dhe të preferohet leximi për orë të tëra para kompjueterit. Leximi gjatë orëve të vona të mbrëmjes, para gjumit, në tablet ose në pajisje të tjera elektronike rrezikon shëndetin. Ky është rezultati i një studimi të fundit. Shkolla mjekësore e Harvardit ka treguar se të gjithë ata që lexojnë nga tabletët e kanë më të vështirë të flenë sesa ata që lexojnë një libër të printuar. Për të dalë në këtë përfundim, 12 persona ishin pjesë e studimit. Ata lexuan pesë ditë në libër të zakonshëm dhe pesë ditë tjera në iPad. Testet e gjakut nga pjesëmarrësit rezultuan se ata që lexonin në ekranin e pajisjes, kishin mungesë të një hormoni thelbësor të gjumit. Ata po ashtu, kishin më vështirë të dremitnin dhe të binin në gjumë të thellë. Lexuesit e tabletëve ishin më të lodhur në mëngjes. Kjo shkaktohet nga emetimi i valëve të tabletave fal dritave LED, që çrregullon orarin e trupit. “Drita e tabletave emetohet direkt në sytë e lexuesit, ndërsa te librat e printuar lexuesit i ekspozohen vetëm reflektimit të dritës nga faqet e librit”, ka thënë hulumtuesi, profesor Charles Czeisler për BBC-në. “Mungesa e gjumit rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, metabolike dhe sëmundje tjera duke përfshirë edhe kancerin”, – shtoi ai. Teknologjia ka bërë që shumë të rinjtë vitet e fundit të harrojnë librat, por duket se edhe ajo e ka një defekt të madh, për më tepër mbi shëndetin e njeriut. Prandaj, ekspertët këshillojnë që lexuesit e tabletave t’i largohen leximit në mbrëmje.