Lufta kundër kancerit, Shqipëria histori suksesi
inistri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë dje (16/09/2015) në Konferencën e Përgjithshme të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEA) që po zhvillohet në dt. 14-18 shtator në Vjenë, Austri, ku mbajti fjalën në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në këtë organizatë.
Shqipëria ka bashkëpunim të shkëlqyer me Agjencinë, ku deri në Shtator 2015, ajo e ka zbatuar me sukses Programin e saj Kombëtar të Bashkëpunimit Teknik në një shkallë të jashtëzakonshme arritjeje prej rreth 95%, tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj. Bashkëpunimi Teknik ka qenë në linjë me prioritetet e zhvillimit kombëtar dhe do të vazhdojë të jetë i tillë, duke përfituar mbështetje në disa sektorë të rëndësishëm tematikë, dhe veçanërisht, në atë të kujdesit shëndetësor, por gjithashtu, edhe në ato të mjedisit dhe bujqësisë, – tha ai.
Në panelin e punimeve të pasdites – PACT Side Event – së Konferencës, Ministri Beqaj ishte panelist kryesor, në panelin e drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i kësaj organizate, Dr. Yukiya Amano.
Shqipëria është Zonë Model e Demonstrimit (Model Demonstration Site) e Programit të Veprimit të Agjencisë për Terapinë e Kancerit (PACT), dhe Ministri Beqaj shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të vazhduar në këtë drejtim edhe në të ardhmen, duke siguruar panelistët për angazhimin e saj të plotë për përforcimin e mëtejshëm të aktiviteteve të kontrollit të kancerit në vend.
Ne jemi krenarë që një nga projektet e TC-së është përzgjedhur si histori suksesi me emrin: “Më të fuqishëm së bashku – ANEA dhe partnerët e OKB-së punojnë me Shqipërinë për të luftuar kancerin”, – tha më tej z. Beqaj.
Kreu i shëndetësisë shqiptare foli rreth punës dhe përmirësimit të ndjeshëm të cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve të saj të diagnostikimit dhe terapisë së kancerit, duke u shprehu i gatshëm për të ndarë përvojën e fituar në këtë drejtim me Shtetet e tjera Anëtare.
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në shqip dhe anglisht.