Metodat e reja të thyerjes së gurëve në veshka

Veshkat janë organi më i rëndësishëm i trupit të njeriut, të cilat kërkojnë kujdes të veçantë për të mbajtur larg problemet shëndetësore.

Dr. Kloedina Bratja rrëfen se si duhet të kujdesemi për komplikacionet që vijnë si rezultat i formimit të gurëve në veshka. Rrisku për formimin e gurëve rritet me moshën dhe është më i madh tek njerëzit që kanë një histori familjare për formimin e tyre.

Meshkujt janë më të predispozuar për të formuar gurë se femrat dhe mosha më e prekur është midis 30 – 50 vjeç.

Dr. Bratja ndër të tjera ka shpjeguar faktorët që ndikojnë në formimin e gurëve, si dhe metodat e reja të thyerjes së gurëve në veshka.

Kur formohen gurët në veshka?

Gurët ne veshka formohen kur urina përmban sasi më të madhe të substancave kristal – formuese, si përshembull kalcium, oksalate dhe acid urik dhe varet sesa ajo është e aftë të tresë. Në të njëjtën kohë veshka mund të humbasë substanca të cilat kanë aftësi të parandalojnë bashkimin e kristaleve dhe krijimin e gurëve. Origjina e formimit të tyre është veshka, por mund të gjenden dhe në uretere, fshikzën e urinës.

Cilat janë faktorët që ndikojnë në formim të gurëve?

Faktorët që luajnë rol në formimin e gurëve në veshka janë:

– Herediteti familjar

– Mosha mbi 40 vjeç

– Dehidrimi

– Dieta sidomos me proteina shtazore, kripë dhe sheqer

– Obeziteti

-Sëmundje të ndryshme të traktit tretës

-Seksi: Meshkujt janë më të predispozuar se femrat

Çfarë shenjash ka një individ në momentin që është i prekur nga sëmundjet e veshkave?

Një gur në veshka mund të mos japë shqetësime deri në momentin që lëviz brenda veshkës ose kalon në ureter (kanali që lidh veshkën me fshikzën e urinës)

Shenjat kryesore janë :

-Dhimbje e fortë mesi dhe në shpinë

-Dhimbje që përhapet në fund të barkut

-Dhimbje gjatë urinimit

-Urinë me ngjyrë të kuqe

-Nauza, të vjella

-Nevojë urgjente për të urinuar

– Urinim i shpeshtë

-Ethe, temperaturë e lartë nësë është i pranishëm dhe infeksioni urinar.

Cilat janë trajtimet që përdoren për një pacient më të tilla shqetësime?

Trajtimi do të varet nga lloji i gurëve. Gurët 3 – 4 milimetra shpeshherë eliminohen vetë ndërmjet urinës. Gurët më të mëdhenj kërkojnë trajtim më të specializuar. Trajtimet kryesore përmblidhen si më poshtë:

-Rehidrimi i pacientit që nënkupton konsumimin e sasive të mëdha të lëngjeve

-Medikamentoz, kryesisht medikamente për qetësimin e dhimbjes, si dhe antibiotikë nëse është i pranishëm infeksioni.

Metodat të tjera:

– Litotripsia

– Ureteroskopia

– Nefrolitotomia perkutane

– Kirurgjia

-Hospitalizimi në pacientë, gjendja e të cilëve nuk e lejon trajtimin në kushtet e shtëpisë

Cilat janë metodat e reja të thyerjes së gurëve?

Litotripsia

Një nga metodat më të përdorura sot për trajtimin e gurëve është litotripsia. Është një metodë jo invazive e cila përdoret për copëtimin e gurëve deri në 20mm. Procedura bazohet në përdorimin e rrezeve X ose ultratingujve për copëtimin e gurëve në grimca të vogla në mënyrë që ato më pas të eleminohen me urinë. Ka një efektivitet deri në 95% për gurët me madhësi deri në 20mm.

Ureteroskopia

Është një metodë e cila përdoret në rastet kur gurët kanë ngecur në kanalin e urinës ose fshikzën e urinës. Metoda bazohet në futjen e një aparati të holle të quajtur ureteroskop nëpërmjet uretres në fshikzën e urinës dhe më pas në uretër. Më pas mjeku nxjerr gurin duke përdorur një instrument tjetër ose përdor rreze lazer për ta thërmuar atë.

Nefrolitotomia përkutane

Është një metodë alternative e trajtimit e cila realizohet në ato raste kur gurët  janë të mëdhenj d.m.th 20-30 mlm ose kur është e pamundur të përdoret litotripsia, si për shembull pacienti është shumë obez. Procedura bëhet nën anestezi totale dhe konsiston në përdorimin e një aparati të quajtur nefroskop i cili futet në veshkë nëpërmjet një prerje të vogël të bërë në kurriz, atje ku projektohet veshka. Më pas guri nxirret ose copëtohet në grimca.

Lëngjet që këshillohen të konsumohen më shumë dhe që shërbejnë për shkrirjen e gurëve?

E rëndësishme për trajtimin dhe parandalimin e gurëve është pirja e ujit përgjatë gjithë ditës. Rekomandohet që sasia e ujit duhet të jetë e tillë që të eleminohet rreth 2.5 litër urinë në ditë. Nëse pacienti jeton në një vend me klimë të nxehtë ose gjatë stinës së verës, sasia e lëngjeve duhet të jetë më e madhe. Nëse urina që eleminohet është e pastër dhe e qartë atëhere mund të themi që sasia e ujit të pirë është e mjaftueshme.

Moshat që rrezikohen më tepër?

Rrisku për formimin e gurëve rritet me moshën dhe është më i madh kryesisht tek ata njerëz që kanë një histori familjare për formimin e gurëve. Kryesisht meshkujt janë më të predispozuar për të formuar gurë se femrat. Mosha më e prekur është midis 30 – 50 vjeç.

Si bëhet parandalimi i gurëve në veshka?

Në parandalimin e formimit të gurëve luajnë rol një sërë faktorësh.

Stili i jetes

Pirja e sasive të konsiderueshme të ujit është një nga faktorët kryesorë në parandalimin e gurëve në veshka. Një rol të rëndësishëm ka dhe dieta. Është e këshillueshme të përdoren sasi jo shumë të mëdha të proteinave shtazore dhe kripës. Nëse pacienti tenton të formojë gurë calcike është e rëndësishme kufizimi i ushqimeve që përmbajnë oksalate, si patatja,  çokollata,  çaji, spinaqi, lajthia etj. Është e rekomandueshme marrja e sasive të kal çiumit me ushqime i cili parandalon formimin e gurëve.

Medikamentet

Medikamentet mund të kontrollojnë sasinë e kristaleve në urinë dhe formimin e gurëve. Tipi i medikamenteve të përdorura do të varet nga lloji i gurit.

Intervistoi: Vilma Kërçikuc Tv Klan

SHKARKO APP