Ministri Beqaj: Në fokus, parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm
Banorët e fshatit të Koplikut të Sipërm, në Malësinë e Madhe dhe komunës Ana e Malit, në rrethin e Shkodrës, do të përfitojnë tashmë shërbim të kujdesit shëndetësor në qendrat shëndetësore përkatëse të rikonstruktuara tërsisht dhe të pajisura me materiale e pajisje shëndetësore të reja. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe Amabasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, z. Hidajet Bajraktar, gjatë vizitës së tyre sot (10/04/2015) në mjediset e saporikonstruktuara të Qendrës Shëndetësore të Koplikut të Sipërm, falë mbështetjes dhe ndihmës financiare të TIKA-s (Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim).
Ky është një tjetër projekt i suksesshëm që realizohet me ndihmën e çmuar dhe mbështetjen bujare të TIKA-s, pas ndërhyrjeve të tjera të rëndësishme që përfshijnë shërbimet e pediatrisë, urgjencës dhe reanimacionit në Spitalin Rajonal të Vlorës; në sallën operatore, laborator, reanimacion dhe kabinetin e imazherisë në SUOGJ “M. Geraldinë”; në urgjencën e Spitalit të Kukësit; në laboratorin e Biokimisë në Poliklinikën Nr. 1 në Tiranë; qendrat shëndetësore Rrogozhinë, Ana e Malit dhe Koplik i Sipërm.
Duke falënderuar TIKA-n dhe popullin vëlla turk për ndihmën që vazhdojnë të japin vendin tonë, dhe posaçërisht, për zbatimin e këtij projekti të rëndësishëm në sektorin e kujdesit shëndetësor, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se kjo “është një ndihmë e madhe për banorët e kësaj zone,” duke shtuar se, “ne besojmë se sistemi ynë i kujdesit shëndetësor duhet të orientohet përherë e më tepër te parandalimi, te diagnostikimi i hershëm,” në referencë të shtrirjes së zbatimit me të njëjtën cilësi e me të njëjtat standarde të Programit të Kontrollit Bazë pa pagesë 40-65 vjeç jo vetëm në Tiranë, por në çdo komunë e fshat të territorit të Shqipërisë.
“Unë besoj se edhe ndihmat që japin në vijimësi edhe personelit mjekësor, mjekëve dhe infermierëve, lehtësimi i madh nga barra burokratike me zëvendësimin e Librezës së vjetër të Shëndetit me Kartën e re të Shëndetit, me fillimin nga data 1 prill të lëshimit të recetës së barnave me rimbursim çdo dy muaj dhe jo çdo muaj, i jep mundësi mjekëve që të merren shumë më tepër me qytetarin, me pacientin, dhe të lehtësohen nga barra administrative,” – tha z. Beqaj.
Sipas kreut të shëndetësisë, qendrat shëndetësore do të rrisin standartet e punës së tyre, prandaj pas rikonstruksioneve të godinave do të punohet për nxitjen e programeve bazë për të rritur cilësinë e mjekëve dhe infermierëve.
Nga ana e tij, Ambasadori z. Bajraktar, siguroi Ministrin Beqaj për mbështetjen e mëtejshme për projektet e përmirësimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.