Mjekët alarmojnë: Stresi dhe jeta sedentare po shtojnë arrestet kardiake te të rinjtë

Rritja e rasteve të arrestit kardiak te të rinjtë në Shqipëri po kthehet në një shqetësim madhor. Sipas mjekut Altin Veshti, i ftuar në Top Story, stresi është faktori kryesor, duke theksuar se në Shqipëri niveli i tij është shumë më i lartë se në Perëndim. Ai e përshkroi stresin si një term gjithëpërfshirës që mund të shkaktojë probleme të ndryshme shëndetësore, si ulçëra në stomak, edhe pa pasur probleme të mëparshme.

Pas stresit, Veshti renditi si faktorë të tjerë rreziku duhanpirjen, diabetin, jetën sedentare dhe përdorimin e stimulantëve. Si masë parandaluese, ai këshilloi aktivitet fizik të rregullt, si palestër ose ecje, të paktën tre herë në javë. Mjeku theksoi gjithashtu rëndësinë e kontrolleve vjetore, duke rekomanduar që çdo individ të kryejë një ekokardiogramë (EKO) dhe një elektrokardiogramë (EKG) për të monitoruar shëndetin e zemrës.

Në të njëjtën linjë, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, shtoi se lodhja, pagjumësia dhe qëndrimi me orë të zgjatura para video-lojërave gjatë natës janë gjithashtu shkaktarë të rëndësishëm. Brataj vuri në dukje edhe rolin e sëmundjeve të trashëguara, duke këshilluar që pas çdo vdekjeje të papritur në familje, të gjithë anëtarët duhet të kryejnë kontrolle mjekësore për të identifikuar faktorët gjenetikë të rrezikut.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?