Mjekja Teuta Orgocka: Femrat, më të rrezikuara nga sëmundjet e reumatizmës

Flet për “Koha Jonë”, lidhur me sëmundjet më të përhapura të reumatizmës, rreziqet dhe sesi mund ti parandalojmë, mjekja reumatologe Teuta Orgocka

Sëmundjet reumatizmale janë shumë të përhapura në vendin tonë. Ato më të përhapura janë Spondyloarthrosat në të gjitha nivelet, që do të thotë, në qafë, shpinë dhe në pjesën e mesit. Mund të përmendim edhe Gonoarthrozat (dëmtimet e cipës së gjurit), Sinovit i gjurit (dëmtim i lidhëzave të gjurit), Bursitet (dëmtim i ligamentit të supit), Coxarthrozat (dëmtimi i këllkut).
Mjekja reumatologe, Teuta Orgocka tregon se sëmundjet më të rrezikshme janë ato të indeve të buta, të cilat nëse nuk diagnostikohen herët apo të mjekohen në mënyrë korrekte, shndërrohen në invalidizuese deri edhe në humbje të jetës.
Por nga çfarë shkakton këto sëmundje? Sa ndikon faktori gjenetik? Si mund ti parandalojmë?
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, mjekja reumatologe, Teuta Orgocka i përgjigjet të gjitha këtyre pyetjeve.
“Parandalimi i sëmundjeve reumatizmale është kujdesi që duhet treguar nga ana e prindërve për fëmijët e tyre. Mund të jenë edhe shqetësime të vogla si një dhimbje dhëmbi, veshi apo fyti, të cilat nuk duhen anashkaluar, por duhen mjekuar sa më shpejt për të ndaluar sa më shpejtë përhapjen e infeksionit në kockë.
Tek të rriturit duhet pasur kujdes që të kufiziohen sa më shumë sforcimet fizike, ambjentet me lagështirë dhe t’u kushtojnë vëmendje edhe traumave të ndryshme, kryesisht në rastet e goditjeve.”, tregon mjekja reumatologe.

Intervistoi: Sidorela Lepri

Zonja Teuta, nga praktika juaj e punës, cilat janë disa nga sëmundjet më të përhapura të reumatizmës në vendin tonë?

Sëmundjet reumatizmale janë shumë të përhapura në vendin tonë. Ato më të përhapura janë Spondyloarthrosat në të gjitha nivelet, që do të thotë, në qafë, shpinë dhe në pjesën e mesit. Mund të përmendim edhe Gonoarthrozat (dëmtimet e cipës së gjurit), Sinovit i gjurit (dëmtim i lidhëzave të gjurit), Bursitet (dëmtim i ligamentit të supit), Coxarthrozat (dëmtimi i këllkut).

Po sëmundjet më të rrezikshme?

Sëmundjet më të rrezikshme janë Colagenozat (sëmundjet e indeve të buta) që nëse nuk diagnostikohen herët apo të mjekohen në mënyrë korrekte, shndërrohen në invalidizuese deri edhe në humbje të jetës.

Zakonisht, cilat janë faktorët që i shkaktojnë?  Dhe a janë të lidhura këto sëmundje me faktorë gjenetikë dhe që trashëgohen brez pas brezi?

Faktorët shkaktues janë të shumtë. Ndër to përmendim traumat, infeksionet bakteriale si ato të bajameve, kryesisht në moshat e vogla tek fëmijët; profesionet e rënda, si personat që ngrejnë pesha të rënda apo kanë sforco të ndryshme fizike.
Një tjetër faktor i rëndësishëm është edhe ai trashëgues (faktori genetik). Ky i fundit nuk është shumë i shpeshtë, por mbetet gjithmonë prezent në shfaqjen e sëmundjes.

Cilat nga gjinitë preken më shumë nga sëmundjet e reumatizmës?

Sëmundjet e reumatizmës shfaqen në të dyja gjinitë, por më tepër tek femrat. Kjo ndodh për shkak të ndikimit të madh të çrregullimeve hormonale të kësaj gjinie, më të theksuara se tek meshkujt.

Po moshat në të cilat shfaqen kryesisht?

Në lidhje me moshën, sëmundjet reumatizmale fillojnë që nga vitet e para të jetës si në atë 3 vjeçare, deri në moshën e tretë atë 70 vjeçare. Në moshat e vogla si tek fëmijët, janë infeksionet e shpeshta bakteriale si tonsilet (bajamet), Otitet (infeksionet e veshit), infeksionet e dhëmbëve, ato urinare, të cilat nëpërmjet përhapjes së infeksioneve më anë të qarkullimit të gjakut, vendosen në kocka dhe shkaktojnë sëmundje si Reumatizmi Artikular Akut, Arthriti Rheumatoid.
Në moshat e rritura janë prezente Arthrozat, Kolagenozat dhe Coxarthrosat.

A mund të shërohen plotësisht individët që preken nga sëmundje të ndryshme të reumatizmës?

Ka sëmundje që shërohen, sidomos moshat e vogla, atëherë kur diagnostikimi bëhet i shpejtë dhe korrekt. Nëse mjekimi nuk është ai i duhuri apo pacienti shkon me vonesë tek mjeku, infeksioni mund të kalojë deri në zemër, veshka dhe fëmija mund të rrezikojë sëmundje kronike deri në invaliditet.
Sëmundjet e moshave të rritura si Spondyloarthrosat dhe Gonoarthrozat me ndikimin edhe të sforcimeve fizike (punë të rënda), janë më të vështira për t’u kuruar, sidomos kur pacienti paraqitet në gjendje të avancuar.
Ata që janë në marrëdhënie pune shpesh rrezikojnë edhe invaliditetin, prandaj duhet të tregohen të kujdesshëm në mjekimin e sëmundjes dhe këshillave të mjekut. Këto sëmundje kthehen në kronike.

Si mund t’i parandalojmë?

Parandalimi i sëmundjeve reumatizmale është kujdesi që duhet treguar nga ana e prindërve për fëmijët e tyre. Mund të jenë edhe shqetësime të vogla si një dhimbje dhëmbi, veshi apo fyti, të cilat nuk duhen anashkaluar, por duhen mjekuar sa më shpejt për të ndaluar sa më shpejtë përhapjen e infeksionit në kockë.
Tek të rriturit duhet pasur kujdes që të kufiziohen sa më shumë sforcimet fizike, ambjentet me lagështirë dhe t’u kushtojnë vëmendje edhe traumave të ndryshme, kryesisht në rastet e goditjeve. Disa nga profesionet që mund të përmendim janë parukierët, marangozët, të cilët bëjnë të njëjtën lëvizje për një kohë të gjatë dhe të përsëritur, për arsye se sjellin dëmtime në ligamentet lidhëse të supit, duke shkaktuar Bursite.

Dhe së fundmi, cilat janë disa këshilla për t’u kujdesur dhe shmangur sëmundjet e reumatizmës?

Mjekimi i sëmundjeve reumatizmale bëhet në varësi të stadit të sëmundjes. Në fazat e para dhe të dyta pacienti mjekohet me antiinflamator josteroid, si përshembull Ketoprofen, Piroxcam, etj. Ndërsa në rastet më të avancuara përdoren kryesisht mjekimet me steroid (kortizonik). Përveç medikamenteve edhe fizioterapia, llixhat dhe plazhi ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e gjendjes së pacientit. Gjithsesi, edhe në këto të fundit duhet të kryhen nën këshillën dhe monitorimin e mjekut.

SHKARKO APP