Mjeku androlog, Evin Dani, apel që meshkujt në moshën e adoleshencës të kryejnë kontrolle mjekësore

Mjeku androlog, Evin Dani bën apel që meshkujt në moshën e adoleshencës të kryejnë kontrolle mjekësore, pasi kësisoj mund të evitojnë problemet e infertilitetit që mund të shfaqen në vijimin e jetës së tyre.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, mjeku Dani tha se një nga problematikat që meshkujt hasin është varikocela, e cila kurohet lehtësisht nëse kapet në moshë të hershme.

“Varikocela është një nga problematikat më të diskutuara në botën e andrologjisë, për shkak të përqindjes së lartë të meshkujve që prek dhe pasojat që ajo sjell, që lidhen me infertilitetin.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Flasim për një përqindje që ka nisur të rritet vitet e fundit. Statistikat evropiane tregojnë se gati 10% e meshkujve kanë probleme të infertilitetit, pra nuk mund të arrijnë shtatzëninë pas një viti që kanë provuar. Vitet e fundit kjo statistikë ka shkuar 13-15%.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Një faktorët kryesorë është ai ambiental, kequshqyerja, sigurisht ndotja e ambientit, që janë disa elemente që kanë shtuar problemet tek infertiliteti. Tek meshkujt problematika lidhet kryesisht me rënien e numrit të spermatozoideve, apo forcës së spermatozoideve”, u shpreh Dani.

Ai tregon se ka disa probleme të qarta, disa patologji që janë të njohura për mjedisin shëndetësor, por jo për popullatën në tërësi. “Një nga këto problematika është varikocela, e cili prek një përqindje të lartë të meshkujve dhe është e lindur. Kjo problematikë gjendet në gati 15% të meshkujve. Studimet janë bërë në vende shumë të zhvilluara të Evropës. Është realizuar tek paraushtarakët, pasi është një kontingjent mjaft i mirë dhe një kontingjent i besueshëm”, u shpreh mjeku.

“Varikocela është zgjerim i enës së gjakut të sistemit venoz në testikuj. Pak a shumë mund ta krahasojmë për lehtësi kuptimi me variçet e këmbëve. Është dëmtim i sistemit venoz, të gjithë e kanë vërejtur tek këmbët e një mashkulli tek vajzat. Varikocela pra është zgjerim i enës së gjakut në teste”, tha mjeku.

“Ky zgjerim, sipas studimeve sjell efektin e rritjes së temperaturës së testit. Testi ka një temperaturë 0,6-1 gradë më të ulët sesa temperatura e trupit, prandaj dhe është në pjesën e jashtme të trupit të mashkullit, që të ketë temperaturë më të ulët, por prania e varikocelës nuk mundëson ruajtjen e kësaj temperature dhe kjo dëmton spermatozoidet, ulet numri i tyre, forca, lëvizshmëria etj. Varikocela sjell prishje të sistemit venoz, dëmton atë që është detyra kryesore pra, ruajtja e një temperature të përshtatshme për testin, dhe më pas sjell këtë problematikë të madhe me infertilitetin, por edhe me elemente të tjera trupore”, tha Dani.

“Këtë problematikë e gjejmë tek gati 40% të meshkujve që kanë problem me infertilitetin”, nënvizon ai.

“Ne si mjekë kur nisim kontrollet, shohim dhe vlerësojmë fillimisht a është ky problem dhe pastaj vijojmë me të tjerat. Prandaj, – shtoi Dani, – duhet kontroll i shtuar që në moshë të hershme. Kjo problematikë nuk është e trashëguar, por e lindur. Ajo ka karakteristikat e veta. Kapet në pubertet zakonisht. Nuk ka shenja, pra mashkulli s’ka probleme me aktivitetin seksual, probleme të tjera, apo shenja të caktuara, por kur tenton të krijojë familje, ka problem për të krijuar shtatzëninë.”

Mjeku androlog u shpreh së prindërit duhet të jenë të ndërgjegjësuar dhe të kryejnë kontrollet e djemve të tyre që në moshë të pubertetit. “Pra duke nisur nga mosha 15-16 vjeç, pasi kështu do të zgjidhen shumë problematika. Ai që e ka këtë problem, fillimisht s’do të kuptojë asgjë, pasi nuk jep shqetësime, as gjatë kryerjes së marrëdhënies, por në vijim do të krijojë stres tek mashkulli, tek bashkëshortja, familjet respektive, pasi do të nisin problemet në moskrijimin e një fëmije të dëshiruar. Por këtë fëmijë e duan të gjithë, edhe çifti, ndaj mashkulli vihet nën stres dhe krijon edhe probleme më të mëdha ekonomike në vijim. E vuajnë më shumë këta persona, kur e zbulojnë në moshë më të madhe”, tha Dani.

Mjeku tha se kontrollet në Shqipëri janë pa pagesë.

“Ka programe të caktuara kontrolli, siç ndodh edhe në vendet e tjera më të zhvilluara të Evropës apo më gjerë. Tek ne s’ka asnjëlloj shpenzimi për këto kontrolle. Është shumë e lehtë për ta evidentuar, pa asnjë kosto. Pa paguar pra asnjë lek. Duhet futur në kulturën mjekësore dhe familjare”, tha Dani.

“Kjo do t’u japë një ndihmë të gjithë meshkujve që mund të kenë probleme me fertilitetin. Jo për ta bërë alarmante, por është e rëndësishme për të kontrolluar dhe kuruar këtë problematikë tek ato që e kanë dhe nuk janë pak janë 15%, pra në 100 meshkuj, 15 e kanë problemin”, tha Dani.

Zgjidhja e vetme është ndërhyrja kirurgjikale.

“Duhet parë se sa problematikë ka shkaktuar ky dëmtim i enëve, por zgjidhja optimale është ndërhyrja kirurgjikale, që është shumë e thjeshtë, është lidhja e venës. Kjo mund të bëhet që në moshën e pubertetit, është shumë operacion i thjeshtë. E bën tani, dhe jo më shumë se 40 minuta ke mbaruar dhe të nesërmen je i aftë për të shkuar në punë dhe për të vijuar jetën normale. Në asnjë rast nuk ka patur komplikime, është thjesht një ndërhyrje e lehtë për urologët. Është një operacion pa shpenzime, por shpëton çiftin në të ardhmen”, tha Dani.

Mjeku shtoi se ka raste që kjo varikocela shkaktojnë dhe problem në fazë të avancuara, duke mos e lejuar mashkullin të ketë fëmijë biologjik asnjëherë. “Kjo është arsyeja që insistoj, që të kapet në kohë. Pasi për moshat mbi 40 vjeç nuk rekomandohet të bëhet ndërhyrja, pasi nuk do të sillte ndryshime”, tha Dani.

Mjeku në fund tha se pas ndërhyrjes 70-80% e rasteve përfundojnë pozitivisht dhe me shtatzëni.
ATSH-Arbi Fortuzi/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?