Ndërhyrja në kodin gjenetik, zbuloni “njeriun e ri”

Kodi gjenetik përcaktohet sipas një alfabeti me vetëm katër shkronja. Të jesh në gjendje të lexosh, studiosh dhe krahasosh sekuencat e ADN-së për njerëzit dhe mijëra krijesa të tjera, është kthyer tashmë në diçka të zakonshme

Një teknologji e re është premtuese për sa i përket modifikimit të informacionit gjenetik në mënyrë të shpejtë dhe të lirë. Kjo teknikë mund të ndreqë gabimet e ndryshme gjenetike që shkaktojnë defekte të pariparueshme te njerëzit.

Kjo teknologji është e njohur si CRISPR-Cas9, ose thjesht CRISPR. Ajo përfshin një pjesë të ARN-së e formuar për të identifikuar sekuenca të ADN-së dhe një enzimë të quajtur nukleazë e cila bën të mundur fshirjen e gjeneve të padëshirueshme dhe zëvendësimin e tyre me gjene të tjera. Aktualisht ekzistojnë edhe mënyra të tjera për të modifikuar zinxhirin e ADN por teknologjia CRISPR jep shpresa për një proces më të thjeshtë, më të shpejtë dhe shumë më të sigurt.

Një numër i madh terapistësh i drejtohen metodës CRISPR për të zhvilluar mënyra të reja për kurimin e çdo sëmundjeje, duke filluar nga Alzhaimeri, kanceri dhe virusi HIV. Duke lejuar mjekët që të fusin gjenet e duhura anti-kancer në sistemin imunitar të pacientit, teknologjia do të çojë në qasje të reja onkologjike. Kjo madje do të përshpejtojë edhe progresin e terapisë gjenetike, ku mjekët inkorporojnë gjene normale brenda qelizave kancerogjene të pacientëve.

Do të kërkojë vite, e ndoshta dekada, përpara se CRISPR të përdoret për të krijuar fëmijët. Por kjo çështje është subjekt i debateve të forta. Në muajin prill, disa shkencëtarë në Kinë treguan se kishin provuar të përdornin CRISPR për të modifikuar gjenet që në embrion. Edhe pse këto embrione nuk mund të zhvilloheshin, embrione të gjalla mund të projektohen për qëllime terapeutike ose vlerësime jo-mjekësore.

Për disa kjo paraqet Rubikonin që nuk duhet kaluar. Shumë shkencëtarë, mes të cilëve edhe një nga krijuesit e CRISPR, kërkon të vendoset një moratorium mbi modifikimin e qelizave embrionale pasi janë baza e zhvillimit të qenieve. Akademia Kombëtare e Shkencave të Amerikës po planifikon zhvillimin e një konference mbi etikën e CRISPR. Debati është mëse i nevojshëm. CRISPR është një avantazh, por që ngre shumë pikëpyetje.

Pengesë është etika

Kjo ndahet në dy pjesë: në praktike dhe atë filozofike. Barriera e parë është praktike. Ashtu si prerja e një sekuence ADN, edhe teknologjia CRISPR shpesh herë hedh objektivat diku tjetër. Nuk ekzistojnë probleme nëse eksperimentohet në laborator, por nëse përdoren njerëz kjo mund të shkaktojë dëme serioze. Në një person me çrregullime të mëdha, ndoshta do t’ia vlente të rrezikoje. Por për embrionet, ku preket çdo qelizë, rreziku do të ishte i madh. Do të duhej një gjeneratë për t’u siguruar se teknika është e sigurt. Deri atëherë, çiftet me probleme gjenetike mund të vazhdojnë me praktikën e fertilizimit in-vitro dhe të zgjedhin embrionet e shëndetshme.

Megjithatë, edhe pse arrin të studiojë të dhënat gjenetike, biologjia ka boshllëqe të mëdha lidhur me origjinën dhe kompleksitetin e shumë proceseve biologjike te njerëzit. Janë të pakta ato çrregullime që mund të kurohen me zëvendësimin e pjesëve gjenetike. Do të ketë gjithmonë kompromise mes një funksioni dhe një tjetri. Ashtu si shihet në rastin e gjenetikës, shkenca po bën progres me hapa galopantë. Kështu që shkencëtarët kanë të drejtën e tyre të mendojnë rreth përmirësimit të teknikës CRISPR.

Kjo do të thotë t’u përgjigjesh disa pyetjeve filozofike. Janë të shumtë ata që kundërshtojnë CRISPR sepse praktikisht i lejon njeriut të luajë rolin e Zotit. Mirëpo është mjekësia ajo që ndërhyn në çështjet e natyrës për të shpëtuar jetët e njerëzve nga infeksionet dhe parazitët. Mundësitë për të trajtuar kancerin, për të mbrojtur fëmijët nga mutacionet gjenetike apo për të kuptuar diabetin janë shtysa për të vazhduar përpara.

Një pyetje edhe më e vështirë konsiston në të drejtën për të modifikuar qelizat embrionale, ndryshimet në të cilat janë të trashëgueshme. Kjo është e ndaluar në 40 shtete dhe e lejuar deri në një farë mase në disa vende të tjera. Nuk ekziston asnjë arsye për të ndaluar kërkimet mbi përdorimet terapeutike. Disa vende me të drejtë lejojnë kërkimet në embrione njerëzore, të cilët janë të fekonduara me metodën in-vitro dhe nuk janë rritur më shumë se 14 ditë. Britania e Madhe ka lejuar dhurimin e ADN-së mitokondriale me qëllim për të mos lejuar vuajtjet e kota të fëmijëve, edhe pse modifikimet do të transmetohen. Dhe CRISPR argumenton se nëse gjenet mund të modifikohen së jashtmi, ato fare mirë mund t’i modifikosh edhe së brendshmi.

Ndërsa dilema tjetër konsiston në përdorimin e teknikës për të bërë ndryshme diskrete në gjenomin e një personi. Arrin një fazë ku terapia (heqja e qelizave kancerogjene apo Alzhaimeri) përmirëson performancën e gjeneve. Disa mund të jenë miopë në zgjidhjen e problemeve. Në këtë pikë i takon shoqërisë të argumentojë se kur dhe pse është e gabuar të ndërhysh në gjenomin human.

Sa më i lumtur, aq më produktiv

Është koha e duhur që mbi këto principe tashmë të ndërtohen rregullat. Shumë vende kanë boshllëqe në legjislacionet e tyre ose kanë një kontroll të dobët duke lënë klinika apo shkencëtarë të keqpërdorin teknikën CRISPR. Qasja konservatore e Autoritetit Britanik të Fertilizimit Human mbi ADN-në mitokondriale është një model. Autoritetet rregulluese duhet në monitorojnë edhe përdorimin e CRISPR në gjallesat e tjera. Të ndryshosh gjenomet e kafshëve për të ndaluar efekte të padëshiruara, si për shembull transmetimin e malaries nga mushkonjat, do të sillte benefite të mëdha.

Nëse vërtetohet se CRISPR është i sigurt në qeniet humane, nevojiten mekanizma që të ta implementojnë këtë teknikë me konsensus të plotë. Modifikimi i gjeneve do të ngushtojë spektrin e prindërve që bëjnë zgjedhjet e gabuara për fëmijët e tyre. Prindërit e shurdhër mund të preferojnë që edhe fëmijët e tyre të jenë të tillë. Prindër arrogantë dhe mendjemëdhenj mund të tentojnë të nxisin inteligjencën e fëmijëve të tyre me çdo çmim edhe pse duke bërë kështu prekin personalitetin e tyre në mënyra të tjera. Dhe nëse arrihet që modifikimi gjenetik të bëjë fëmijët më të zgjuar, a do të limitohet kjo vetëm për të pasurit?

Të mendosh në këtë mënyrë është e drejtë. Por këto dilema nuk duhet të errësojnë avantazhet dhe mundësitë që ofron CRISPR. Bota ka në dorë një mekanizëm për t’iu dhënë njerëzve një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme. Kjo duhet përqafuar.

SHKARKO APP