Nëse merrni ushqime në plazh, shmangni këto produkte
Shumë njerëz e marrin ushqimin e tyre në plazh, nëse ju jeni një prej tyre, ja cilat janë ushqimet më të këqija!
Ka shumë njerëz që marrin ushqim me vete në plazh dhe nuk ka asgjë të keqe. Në këtë rast në qese gjenden më shpesh sandviçë, disa ushqime të ftohta, sallata e të ngjashme, por nutricionistja Kirsten Hickman tregon se jo të gjitha ushqimet janë të përshtatshme për një vakt buzë detit.
Ushqimi më i keq që mund të sillni në plazh është ushqimi dehidratues. Nëse e kaloni pjesën më të madhe të ditës në vapë, nën diell, gjëja e fundit që dëshironi janë ushqimet që e përkeqësojnë dehidratimin”, thotë ajo dhe më pas tregon se cilat janë ushqimet më të këqija për të sjellë në plazh
Mishrat e thatë
Këto ushqime njihen se përmbajnë shumë natrium, prandaj nutricionistja këshillon t’i shmangni në ditët kur kaloni shumë kohë në diell.
Në vend të kësaj, sugjerimi i saj është një sandviç me perime që hidraton trupin dhe mund të shtoni edhe pak humus për të shtuar pak proteina.
Çipsat e kripur
Është kënaqësi të hash një meze të lehtë në plazh, pranë ujit, por le të themi që patatinat dhe produktet e ngjashme nuk janë zgjidhja më e mirë, sërish për shkak të përmbajtjes së lartë të kripës. Nutricionistja Kirsten thotë se është më mirë të sillni fruta ose të prisni perime të freskëta, të cilat mund t’i zhytni edhe me pak humus.
Nuk është për t’u habitur – ushqimi i skuqur ka një përmbajtje shumë të lartë kripe, e cila përkeqëson dehidratimin. Përveç kësaj, pas një vakti të skuqur energjia do t’ju bjerë ndjeshëm, shton ajo, ndaj ka shumë mundësi që në plazh të jeni të përgjumur dhe jo shumë të mirë.
Pijet e ëmbla
Ngjashëm me kripën, ushqimet dhe pijet me përmbajtje të lartë sheqeri gjithashtu kanë një efekt dehidratues në trupin tuaj. Kur hani sheqer, trupi përdor më shumë ujë për ta metabolizuar atë, kështu që do t’ju duhet të urinoni më shpesh.
Përveç kësaj, nëse pini pije të ëmbla në vend të ujit, sheqeri në gjak do të rritet shpejt dhe më pas do të bjerë shpejt, kështu që do të jeni të rraskapitur gjatë ditës. Prandaj, alternativa më e mirë është uji, por edhe çajrat e ftohtë të pa ëmbëlsuar.
Ushqimet e nxehta
Kjo nuk ka të bëjë aq shumë me shëndetin, por thjesht, nëse në plazh sillni një vakt të nxehtë, në momentin që do ta hani, me siguri do të jetë i vakët dhe jo veçanërisht i shijshëm. Ushqimet e ftohta mund të qëndrojnë më gjatë dhe padyshim që do t’ju pëlqejnë më shumë, ndaj sugjerimi i nutricionistes Kirsten është që të shijoni sallata me makarona të ftohta buzë detit.