Nëse shikoni tepër televizor, do të vdisni më herët
Shikimi i televizionit është një nga format më të zakonshme të sjelljes duke qëndruar ulur, ndërsa në rritje janë edhe të gjitha format e tjera të mënyrës së jetesës ulur, kanë konstatuar në studimin e tyre hulumtuesit nga Universiteti spanjoll i Navarrës, duke paralajmëruar se rreziku i vdekjes së parakohshme tek njerëzit të cilët kalojnë tri ose më shumë orë para televizorit dyfishohet.
Hulumtuesit nën udhëheqjen e Miguel Martinez-Gonzalez, kreut të departamentit të shëndetit publik në Universitetin e Navarrës në Pamplona, e kanë ndjekur në një mesatare prej tetë vjetësh mënyrën e jetesës së 13.284 të anketuarve me një moshë mesatare 37-vjeçare, për ta përcaktuar nëse disa forma të sjelljes ulur janë të lidhura me vdekjen e parakohshme. Ata janë fokusuar në veçanti në kohën e kaluar duke shikuar televizor, kohën e kaluar në kompjuter dhe në ngasjen e makinës.
Gjatë gjithë periudhës së monitoruar, 97 persona vdiqën, ndërkohë që u konstatua se 19 vdekje ishin të lidhura me sëmundje kardiovaskulare, 46 me kancer dhe 32 vdekje të lidhura me arsye të tjera. U konstatua gjithashtu se ata që kishin kaluar çdo ditë tri ose më shumë orë duke shikuar televizor kishin dy herë rrezik më të madh nga vdekja e parakohshme në krahasim me ata që kishin shikuar televizor më pak se një orë, sipas një studimi të publikuar nga Shoqata Amerikane e Shëndetësisë.
Derisa popullsia bëhet më e vjetër, mënyra e jetesës ulur është gjithnjë e më dominuese, sidomos me shikimin e televizorit, dhe kjo i përkeqëson edhe më shumë problemet shëndetësore të lidhura me plakjen, paralajmëron udhëheqësi i hulumtimit, Martinez-Gonzalez.”Gjetjet e hulumtimit tonë sugjerojnë që personat e rritur duhet t’i marrin parasysh aktivitetet e tyre fizike, t’i shmangin periudhat e gjata pa lëvizur dhe ta reduktojnë shikimin e televizorit në jo më shumë se një deri dy orë në ditë”, – theksojnë studiuesit.
Ata thonë se do të nevojiten hulumtime të reja për ta përcaktuar se çfarë mekanizmash biologjikë qëndrojnë prapa lidhjes së shikimit të përditshëm të televizorit dhe rrezikut të vdekjes së parakohshme. Ata gjithashtu shtojnë se nuk kanë gjetur ndonjë lidhje të rëndësishme në mes të kohës së kaluar para kompjuterit ose në timon të makinës dhe ndonjë rritjeje të rrezikut të vdekjes së parakohshme nga çfarëdo shkaktari.